Kosova sfidë kryesore për Serbinë
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, thotë se Serbinë e presin sfida të mëdha gjatë bisedimeve për anëtarësim në BE. Sipas tij, normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën dhe reformat në gjyqësor, pritet të jenë kriteret kryesore në këto negociata.

Lajme
Ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, është shprehur se nisja e bisedimeve në mes të Serbisë dhe BE’së tregon se Brukseli e mban fjalën.
Kurz ka thënë për mediat serbe se në rrugën e anëtarësimit Serbia vazhdon të ketë sfida të mëdha, duke përfshirë Kosovën dhe reformën në gjyqësor.
“Është e vështirë të parashikohet se sa do të zgjasin bisedimet e Serbisë për anëtarësim, pasi që çdo rast ka sfida specifike. Anëtarësimi i Austrisë ka zgjatur 6 vjet dhe ka qenë shumë komplekse. Serbia ende gjendet para shumë sfidave, si për shembull marrëdhëniet me Kosovë dhe reforma në gjyqësor”.
Mesazhi i tij për Qeverinë në Beograd është që të bëjë reforma të thella dhe vazhdim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.
“Integrimi në BE kërkon hapa të rëndësishëm në krijimin e reformave dhe vazhdim të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën. Kjo kërkon një angazhim serioz dhe një konsensus të gjerë politik”.