Kosova rrezikohet nga mosintegrimi i serbëve

Kryeministri Thaçi, në një intervistë për Guardian, thotë se votimet e suksesshme janë jetike për Marrëveshjen mes Kosovës dhe Serbisë. Ai refuzon kritikat. “Si ta trajtojmë situatën me Serbinë? A duhet ta fillojmë sërish luftën? Ta vrasim njëri-tjetrin?\".

Lajme

14/11/2013 17:24

Kryeministri i Kosovës u ka bërë ftesën e fundit serbëve që të votojnë në zgjedhjet me rëndësi të jashtëzakonshme këtë vikend, të cilat konsiderohen si një moment vendimtar për republikën ballkanase.

Në një intervistë me gazetën britanike the Guardian, Hashim Thaçi ka thënë se votimi i ndaluar në Kosovën Veriore me 3 Nëntor ishte rezultat i “presionit, kërcënimeve dhe metodave tjera”, duke shtuar se ai do ta konsideronte Serbinë përgjegjëse nëse do të përsëriteshin sjelljet e tilla edhe në votimet e përsëritura në Mitrovicën Veriore, të dielën.

Thaçi ka thënë se votimet e suksesshme janë jetike për marrëveshjen paqësore mes Kosovës dhe Serbisë. Sipas tij, të vetmit që kanë çka të humbin nga pjesëmarrja në zgjedhje janë ekstremistët dhe grupet radikale në Kosovë.

Më 3 Nëntor, votimet u ndaluan në Mitrovicën Veriore pasi njerëz të maskuar hynë në vendvotimet në vendbanimet me shumicë të popullsisë serbe, duke hedhur gaz lotsjellës dhe shkatërruar kutitë e votimit.

“E dimë çfarë ka ndodhur, kush e ka bërë dhe pse e kanë bërë”, u shpreh Thaçi.

Zgjedhjet lokale u mbajtën pas marrëveshjes paqësore mes Serbisë dhe Kosovës, ish krahinës së saj, që u sponsorua nga Bashkimi Europian. Sipas marrëveshjes, Beogradi duhet t’i shpërbëjë sistemet paralele prej shërbimeve shëndetësore deri te arsimi në Kosovën Veriore, në këmbim për një autonomi më të madhe për serbët në Kosovë.

Shumica në Veri refuzojnë ta pranojnë shtetin e Kosovës, që shpalli pavarësinë në vitin 2008.

Dalja më e madhe në tri komunat e Veriut ishte 22 për qind, por Komisioni Qendror Zgjedhor vendosi t’i pranojë këto rezultate dhe ta kufizojë rivotimin në Mitrovicën Veriore.

“Nëse njerëzit do të lejoheshin që të votonin, pjesëmarrja do të ishte më e madhe se 25 për qind”, tha Thaçi.

“Ajo që na duhet tash është stabiliteti politik në Veri që të krijojmë institucione lokale legjitime dhe investime. Pastaj gjërat do të ndryshojnë”.

“Kosova nuk rrezikohet prej integrimit të serbëve. Kosova rrezikohet prej mosintegrimit të tyre”, tha ai për 120.000 serbët e Kosovës.

Marrëveshja e Brukselit është dëshmuar kontroverse në Serbi dhe Kosovë, por Thaçi i refuzon kritikat për marrëveshjen.

“Si ta trajtojmë situatën me Serbinë? A duhet ta fillojmë sërish luftën? Ta vrasim njëri-tjetrin?”.

“Kjo është marrëveshja më e mirë e mundshme për të dyja shtetet”.

Implemetimi i suksesshëm konsiderohet gjerësisht si një hap esencial për ambiciet e Serbisë dhe Kosovës për integrim në BE.

“Zgjidhja më e mirë për Kosovën dhe Serbinë, por edhe për rajonin, është që këto dy vende të bëhen anëtare të Bashkimit Europian”.

“Ne nuk kemi luftuar kundër serbëve, por kemi luftuar për ta larguar Serbinë dhe mekanizmat e saj pushtues në vitin 1999”.

E ardhmja e Marrëveshjes së Brukselit varet nga dalja në votimet e së dielës, thotë Ilir Deda, nga thinktank’u KIPRED.

“Gjithçka varet nga ajo se çfarë duan serbët e Veriut. A duan ta shkatërrojnë me bojkotim, apo duan ta legjitimojnë me anë të zgjedhjes së një serbi për Kryetar të Komunës?”.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Dacic, i ka paralajmëruar serbët e Mitrovicës së Veriut që të votojnë “nëse duan që qyteti i tyre të mos udhëhiqet nga një shqiptar”.

Dacic i tha një televizioni serb se sistemi i komunave serbe me autonomi të madhe, i harmonizuar në Bruksel me përfaqësuesit e Prishtinës, do të ngecte nëse serbët nuk do të merrnin pjesë në rivotim.

“Nëse Kryetari i Komunës është shqiptar, kjo do të thotë se ne nuk do të jemi në gjendje ta ndërtojmë administratën dhe nuk do të kemi mundësi që ta krijojmë Asociacionin e Komunave Serbe, që do të çonte drejt konflikteve, mbase edhe konflikteve të armatosura”.

Vrragët e luftës së fundit janë ende prezente. Të premten, një prokuror i BE’së ngriti akuzë ndaj 15 anëtarëve të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për torturim dhe vrasje të civilëve gjatë luftës së vitit 1998 – 1999 me Serbinë. Në mesin e të akuzuarve është Sylejman Selimi, ambasador i Kosovës në Shqipëri, por edhe disa anëtarë të lartë të partisë qeverisëse të Thaçit, PDK’së, përfshirë Sami Lushtakun.

Pavarësisht të qenit në burg, Lushtaku fitoi zgjedhjet në Skënderaj, me më shumë se 88 për qind të votave.

“Ai fitoi sepse njerëzit i besojnë”, tha Thaçi.

Por, Thaçi po ashtu deklaroi se të gjithë ish kuadrot e UÇK’së që dënohen me akuza kriminale do të përjashtohen nga partia.

“Kemi pasur raste të mëhershme kur njerëzit ishin në procese gjyqësore dhe ishin zgjedhur deputet në Kuvend”.

“Por, prej momentit kur dikush shpallet fajtor nga gjykata, ai person nuk do të qëndrojë më në politikë”.

 

(Ky artikull është botuar sot në gazetën britanike Guardian. Përkthyer nga lajmi.net)