Kosova po shndërrohet në laborator të narkotikëve, vetëm për 4 muaj u zbuluan 4 sosh

Policia e Kosovës, me njësitet e saj në vazhdimësi po punon për ruajtjen e rendit dhe menaxhimin e sigurisë publike në vend, si dhe veprime konkrete janë duke u ndermarr në funksion të parandalimit dhe luftimit të veprave penale të të gjitha llojeve. Konfiskim i madh i heroinës dhe kanabisit, brenda katër muajve Policia arrestoi mbi 500 të dyshuar e zbuloi katër laboratore

Lajme

14/06/2022 11:59

Policia e Kosovës vazhdimisht ka realizuar aksione të shumta, në të cilat qëllimi ishte konfiskimi i narkotikëve.

Pikërisht gjatë këtij viti si dhe vitin që lamë pas, Policia e Kosovës, saktësisht Njësia Anti-drogë ka realizuar operacione të suksesshme, në parandalimin dhe luftimin e trafikimit me narkotikë dhe abuzimit me droga në përgjithësi.

Pavarësisht kësaj, në Kosovë shqetësuese vazhdon të jetë përdorimi i madh i drogave, si dhe shitja e tyre. Përpos identifikimit dhe konfiskimit të substancave të dyshuara narkotike, në Kosovë janë zbuluar edhe laboratorë dhe pajisje të ndryshme për prodhimin dhe përpunimin e narkotikëve.

Në një përgjigje të dhënë nga Policia e Kosovës, krahasuar me vitin 2021, në periudhën e njëjtë kohore janar-maj, në vitin 2022 ka patur një ngritje të numrit të rasteve, numrit të personave të arrestuar si dhe rritje të sasisë së konfiskuar të drogës.

“Policia në bashkëpunim dhe bashkërendim të aktiviteteve me autoritetet brenda dhe jashtë shtetit në vazhdimësi po punon për parandalimin e rasteve me substanca narkotike, megjithatë në aspektin ligjor po ndermirren dhe do të ndermirren masa të ashpra ligjore ndaj të gjithë atyre që janë të involvuar në trafikim me substanca narkotike dhe vepra tjera të kundërligjshme që rrezikojnë shëndetin e të rinjve tanë. Krahasuar me vitin 2021 ( periudhën e njëjtë kohore; janar- 23 maj) këtë vit pra në 2022 ( periudha e njëjtë) ka një ngritje të numrit të rasteve, numrit të personave të arrestuar si dhe rritje të sasisë së konfiskuar të drogës”,u tha në përgjigjen e PK-së.

Në periudhën katër mujore të parë të 2022-ës, Policia e Kosovës ka hapur 387 raste në kuadër të hetimit të narkotikëve.

“Përderisa gjatë vitit 2021 gjatë periudhës Janar-23 Maj 2021 janë hapur 335 raste, gjate vitit 2022 janë hapur 387 raste”.

Në këtë kuadro, zyrtarët policorë në vend kanë arrestuar 515 persona të dyshimtë për narkotikë.

Krahasuar me periudhën e njëjtë mujore me atë të vitit 2021, më 2022 pati një numër më të lartë të të arrestuarve nën dyshimin për narkotikë.

Por pikërisht në këtë kohë në Kosovë është vërejtur prani më e madhe e narkotikëve të llojit heroinë.

Madje nga Policia është arritur që në raste të shumta të bëhet edhe konfiskimi i këtij lloji të drogës.

“Numri i personave të arrestuar gjatë vitit 2021 në këtë periudhe kohore ka qene 344 persona ndërsa gjatë vitit 2022 numri i personave të arrestuar është 515. Sa i përket vitit 2022 është shënuar ngritje në konfiskim të heroinës në 116953 gr. me shume se në vitin 2021”, theksohet nga Zyra për Informim e Policisë së Kosovës.

E në vitin 2022 pati më shumë kilogramë të substancave narkotikë të cilat janë konfiskuar në katër muajt e parë të këtij viti.

“174 kg 101 gr. më shume substancë marihuane është konfiskuar gjatë vitit 2022 në krahasim me vitin 2021 (periudha e njëjtë kohore). Po ashtu bimë kanabisi ka pasë më shumë të konfiskuara gjatë vitit 2022, përveç kokainës që në vitin 2021 ka qenë sasia më e madhe e konfiskuar se në këtë vit(2022), për periudhën e potencuar kohore”

Përpos shitjes së narkotikëve, në Kosovë janë zbuluar edhe vende se ku po bëhej prodhimi dhe përpunimi i tyre.

Në vitin 2022, Policia e Kosovës ka zbuluar katër laboratorë të kultivimit të bimës kanabis sativa, një në Prizren, dy në Mitrovicën e veriut dhe një në Gjilan.

Edhe pse konfiskimet e shumta të narkotikëve kanë ndodhur brenda këtij viti, numri i atyre që humbën jetën si pasojë e përdorimit të drogave është mjaftë i lartë.

Brenda pak javëve në Kosovë humbën jetën dy të rinj, pikërisht nga mbidoza e narkotikëve.

Por kjo nuk është e tëra. Përgjatë gjithë viteve të fundit në Kosovë si pasojë e përdorimit të drogave vdiqën 130 persona. Sipas të dhënave zyrtare, në Kosovë janë rreth 35 mijë qytetarë të cilat janë përdorues të drogave.

Lidhur me këtë lajmi.net ka kontaktuar Qendrën Mediko-Psikotepeutikre “Labirint”, nga ku është theksuar se nga të dhënat të cilat ata posedojnë në Kosovë janë rreth 35 mijë përdorues të drogave të ndryshme.

9 mijë nga këta përdorues janë të varur nga lloje të shumta të drogës.

“Në bazë të punës sonë në teren dhe databazës sonë, mendojmë se në Kosovë janë rreth 30,000 deri në 35,000 përdorues të drogave të ndryshme, prej tyre rreth 8000-9000 përdorues të varur”, u tha në përgjigjen e Labirint.

Sipas të njëjtës qendër, që nga paslufta ka patur në vazhdimësi rritje të numrit të përdoruesve të drogave.

E qytetet me më së shumti përdorues të drogave janë: Prishtina, Prizreni dhe Gjilani.

“Në vazhdimësi prej nga paslufta numri i përdoruesve të drogave çdo vit është rritur, ndërsa sa i përket qytetit të Gjilanit në bazë të databazës është qyteti i tretë me numrin e përdoruesve, pas Prishtinës dhe Prizrenit”, tha Muharrem Ademi nga “Labirint”. /Lajmi.net/