Kosova po mbetet pa profesionistë shëndetësorë

Mbi 800 profesionistë shëndetësorë janë larguar nga Kosova gjatë vitit 2022, derisa trendi i ikjes është ndjekur edhe në ditët e para të vitit 2023. Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës gjatë vitit që lamë pas nga Kosova janë larguar 211 mjekë, ndërsa në fillim të muajit të parë të vitit 2023,…

Lajme

01/02/2023 19:27

Mbi 800 profesionistë shëndetësorë janë larguar nga Kosova gjatë vitit 2022, derisa trendi i ikjes është ndjekur edhe në ditët e para të vitit 2023.

Sipas të dhënave të Odës së Mjekëve të Kosovës gjatë vitit që lamë pas nga Kosova janë larguar 211 mjekë, ndërsa në fillim të muajit të parë të vitit 2023, 11 mjekë kanë ndërprerë marrëdhënien e punës në Kosovë për të vazhduar në vendet evropiane.

Përveç mjekëve, angazhimin profesional jashtë Kosovës po e vazhdojnë edhe infermierët. Gjatë vitit 2022 Kosovën e kanë braktisur 633 infermierë.

E ikja e personelit mjekësor nga Kosova po konsiderohet se po ndodhë për shkak të mungesës së perspektivës.

Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu ka treguar për emisionin “Shenjë”,  se cilët janë shkaktarët që personeli mjekësorë po ikë nga Kosova.

“Është një fenomen që ne tash e 4 vite që jemi duke e monitoruar. Viti i kaluar ka qenë ai me numrin më të madh prej 211, dhe fillim viti nuk është që na jep shpresë. Vetëm për këto 17 ditë i kemi 11 mjekë të cilët kanë marrë dokumentacionet e nevojshme për nënshkrimin e kontratave të punës atje si dokument i fundit. Arsyet të cilat ia kanë dhënë përmes në pyetësori të viti të kaluar kanë ndryshuar arsyet të cilat kanë qenë deri më 2022. Deri në 2022 kanë qenë kushtet e punës dhe si e dyta kushtet dhe kualiteti i specializimit pasi që jo shumica janë të rinjë dhe jo specialist dhe e treta ka qenë paga. Këtë vit e kemi papunësinë sepse kemi një numër përmbi 350 të cilët janë të regjistruar tek ne të deklaruar si të papunë në odën e mjekëve, e dyta kalon tash paga dhe e treta vie kushtet e punës. Kështu që këto janë ato të cilat po i shtyjnë largimin e tyre migrimin në shtetet e Evropës por njëkohësisht po të njëjta arsye janë edhe për ata të cilët janë duke lëshuar edhe sektorin publik dhe kalojnë në sektorin privat”, ka thënë ai.

Në anën tjetër numri infermierëve që janë larguar nga Kosova gjatë vitit 2022 ka qenë shumëfish më i lartë se sa vitit 2021.

Kryetari i Odës së Infermierëve të Kosovës, Naim Rrustemi tregon pse po ndodhë kjo ikje dhe problemet që shkaktohen në institucionet shëndetësore të vendit nga kjo.

“Ikja e infermierëve po flas në krahasim me vitin 2021 është diku 6 fish ose 7 më e madhe. Deri në fund të 2022 kanë qenë 633 infermierë që tek ne i identifikojmë. Në momentin që vjen dhe kërkon një vërtetim nëse ka shkelje të kodit etik dhe e merr një licencë e cila duhet të jetë e pa plastifikuar, ne vetëm në bazë të tyre e dimë saktë se këta po na shkojnë jashtë dhe për këtë arsye ky numër mund të jetë shumëfish më i madh. Për ne si odë është shqetësuese ikja e infermierëve sepse vetëm Gjermania kërkon diku 70 mijë infermierë dhe çka nëse vetëm Gjermania e bën një marrëveshje me institucione dhe i merr këta infermierë. Ku do të mbeten institucionet tona, qoftë ato shtetërore apo private dhe kjo ka qenë një brengë mjaftë e madhe sa i përket ne dhe apeli ka qenë gjithmonë tek ata të cilët bëjnë politika qoftë Ministria e Shëndetësisë qoftë edhe vetë Qeveria pasi që me të vërtetë është shqetësuese ikja e këtyre personalëve shëndetësore. Aq më keq kemi infermierë të cilët 20 vite punojnë në profile të caktuara, siç është për shembull teknik të anestezionit që punojnë në kujdesin intensiv. Pastaj baqelor këtë rast të cilët punojnë në kujdesin intensivë, por njëkohësisht edhe si kujdestarë në kujdesin emergjentë që e lëshojnë atë vend të punës. Nuk është lehtë që ai vend i punës që edhe nesër nëse hapet konkursi të zëvendësohet sepse ai e ka një profil të posaçëm duhet të përgatitet të paktën prej një viti deri në tri vite që t’i nënshtrohet profilit profesional në mënyrë që ai ta kryejë punën si duhet në bazë të kompetencave që i ka”, ka thënë ai.

Për këtë ikje të personelit mjekësorë nga Kosovë fajtorë po konsiderohen dy nivelet e qeverisjes, ai qendror dhe komunal.

“Fajtori, dihet kush është përgjegjës për ta do të thotë për punësimin e tyre janë qeveritë, janë qeveritë komunale.  Sa i përket punësimit, faji shkon drejtpërdrejt në shumicë, do të thotë është tek qeveritë komunale sepse të gjithë këta mjek janë mjek të përgjithshëm të posa diplomuar dhe të cilët do të duhej të punësohen në shtëpitë e shëndetit, pra atje janë të kualifikuar për atë nivel dhe më pak qeveria qendrore, sepse qeveria qendrorë ka nivelin sekondar dhe terciar dhe punëson specialistë, që në këtë rast specialistë të papunë kemi shumë pak dhe ata që largohen janë shumë pak. Qeveritë qendrore janë ata të cilët janë përgjegjës për kushtet e punës, në rastin tek largimi nga privati tek publiku. Në përgjithësi të gjithë e kanë fajin sa i përket anës financiar, ku vërtetë shpresojmë që ligji i pagave do ta bëjë një efekt të limituar nuk mund t’i ndal as kjo qeveri as të kaluarat as të ardhmen do të thotë do të vazhdojnë të largohen “, ka thënë ai për emisionin “Shenjë”, prodhim i lajmi.net.

Por ndër të tjerash, ai në lidhje me këtë fakt akuzon edhe SHSKUK-në ku thotë se rregullorja e tyre e brendshme nuk zbatohet, e cila sipas tij ka për detyrë rregullimin e punës së personalëve mjekësorë.

“Shkeljet e para janë bërë duke filluar që nga çështja e specializimeve, tek punësimi, tek sistematizimi i mjekëve në spitale, tek licencimi i tyre i mjekëve të huaj dhe kështu me radhë. Nuk flasim vetëm këtë, vjen puna tek të drejtat e tyre në vendin e punës dhe në mbrojtjen e tyre, shëndetit të tyre në punë dhe kështu me radhë. Do të thotë vonesat në aprovimin e protokolleve klinike që i qet mjekët në pozitë të keqe dhe shumë prej tyre largohen prej rrezikut të madh që kanë me punë të pa rregulluara juridikisht për mbrojtjen e tyre dhe kështu me radhë. Në një mënyrë ligji i shëndetësisë që reflekton automatikisht mbi 40 deri në 50 për qind e ligjit nuk implemtuar  fare dhe të gjitha ato janë shkelje ligjore automatikisht i qesin në pozitë të keqe. Rregulloret e brendshme të SHSKUK-së shumica e tyre nuk zbatohen dhe ato janë bërë që të rregullohet puna e tyre, mbrojtja e tyre por edhe obligimet e tyre dhe kur këto nuk ekzistojnë do të thotë mjeku është i lënë në dorën e fatit dhe të gjitha këto ndikojnë, emri i përbashkët i fajtorëve është këtu do të thotë duke filluar këtu nga Ministria e Shëndetësisë dhe deri tek menaxherët”, ka thënë ai.

Ndërkaq, Rrustemi ka thënë se Oda e Infermierëve të Kosovës në vazhdimësi ka kërkuar ndihmë nga institucionet e vendit, por që nuk kanë gjetur mbështetje.

“Unë besoj që gishti jo vetëm tash po duhet të drejtohet që 5-6 vite e këndej sepse kjo është trendi më i madh i ikjes. Tani po flas vitin e kaluar, në 2021 kanë qenë 140 persona dhe sot i kemi mbi 600. Kështu që çfarë ikje që e dimë vetëm unë dhe ti, e mos të flasim për të tjerët që ikin përmes agjencioneve dhe më pas i ndajnë ato përqindje që i kanë. Kjo është shqetësuese dhe kjo duhet të jetë shqetësuese edhe nga ministria edhe prej akterëve të tjerë qeverisë, parlamentit , presidencës e të gjitha. Ne të gjitha institucioneve iu kemi drejtuar nga Ministria e Shëndetësisë, Presidencës, komisionit parlamentarë për shëndetësi dhe për kategorizim dhe për të gjitha të tjerat sa i përket edhe pagave të cilave tash është edhe deri në këto momente mundem të them që asnjëherë nuk janë përgjigj dhe asnjë këshillë që ne e kemi dërguar. Kjo nuk është në anën pozitive të infermierëve duke filluar edhe nga ajo që duhet ta dimë secili sepse duhet të përcaktohet një koeficientë në mënyrë që ta dimë se sa është një pagë që do ta kemi ne. Çka nëse  është 100 euro vlera e koeficientit, a po rritet rroga a po zbritet? Kjo është me të vërtetë shqetësuese për neve dhe asnjë amandament i joni që e kemi quar ehe si odë po flas edhe akterë të tjerë nuk është marrë për bazë”, ka thënë ai.

Në anën tjetër, kryetarja e Komisionit Parlamentar për Shëndetësi, Fatmire Kollçaku, ka thënë se është duke u bërë përpjekje për të ndalur këtë trend të ikjes së profesionistëve mjekësor. Ajo ka përmendur disa pika në të cilat sipas saj po punohet në mënyrë që të profesionistët mjekësorë të mos ikin nga vendi.

“Edhe pse ikja e profesionistëve shëndetësorë pothuajse ka ndodhur në të gjitha shtetet në tranzicion dhe nuk po ndodhë vetëm në Kosovë, është e qartë që kjo për ne është shqetësuese dhe ne jemi të interesuar që t’i minimizojë të gjitha arsyet për të cilat dikush duhet të shiqonte me gjet zgjidhje jashtë Kosovës. Patjetër që ne fillimisht jemi duke bërë përpjekje për përmirësimin e kushteve të punës e para, e dyta mundësimin për zhvillimin edukimin e vazhdueshëm profesional sepse mjekët kanë nevojë për specializim për subspecialzim,e ngritje profesionale përmes pjesëmarrjes në punime dhe konferenca shkencore e të tjera. Ajo çfarë është kryesorja, tash me ligjin e ri për paga që do të hyjë shumë shpejtë në fuqi, është edhe përmirësimi i pagave, do të thotë që ne tentojmë që mjekët të gjithë profesionistët mjekësorë të kenë një pagë të dinjitetshme për punën që e kryejnë. Pra, ne jo vetëm që e vlerësojmë, sepse unë edhe vet jam punëtore shëndetësore. Patjetër që si komision do ta japim kontributin që përmes legjislacionit i cili është në procedurë dhe i cili do të miratohet që edhe me kontributin tonë si deputetë të përmirësojmë ligjet dhe në fund rezultati të jetë ai që edhe pse ne pacientin e kemi në fokus për çdo gjë që bëjmë edhe për punëtorët shëndetësorë të jetë në shërbim të pacientëve”, ka thënë ajo.

Profesionistët shëndetësor nga Kosovë rrugëtimin e tyre profesional më së shumti po e vazhdojnë në Gjermani. E, për këtë tashmë në vendin tonë disa institucione private po ndërmjetësojnë që profesionistët shëndetësorë kosovarë të gjejë më lehtë punë në Gjermani.

“Comsense” është ndër këto institucione që ndihmon kosovarët për të gjetur punë në institucionet shëndetësorë gjermane.

Albulena Shala – Çelaj, nga ky institucion ka thënë për emisionin “Shenjë” se 80% e personave që kërkojnë ndihmë këtu, nuk kanë qenë asnjëherë të punësuar në Kosovë.

“Shumicën, 80 për qind të njerëzve që i kemi të regjistruar, që e bëjmë rekrutimin e tyre dhe iu ndihmojmë për të shkuar në Gjermani, shumica janë pa punë. Kemi 35 vjeçarë që kurrë nuk e ka pasur rastin të punoj si infermierë dhe është e dhimbshme dhe me gjyku pse po ikin të rinjtë. Atëherë hapni vende të punës diçka nuk po funksionon edhe është problemi me pas edhe vende të punës pagat janë aq të ulta saqë secili duhet të mendojë se ku të jetojë”, ka thënë ajo.

E sipas të dhënave, paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa shembull në Gjermani, ata paguhen deri në 4000 euro./Lajmi.net/