Kosova po e humb hapin në ekonomi

Institucionet e Kosovës kanë nevojë urgjente për një strategji të zhvillimit ekonomik. Arian Zeka thotë se Kosova ka potenciale zhvillimore që s'po përdoren. Sipas tij, ekonomia vendore qëndron afër një shekull larg, krahasuar me vendet mesatare europiane.

Lajme

10/02/2014 06:40

Ekonomia do të jetë përcaktuese për të ardhmen e shtetit të Kosovës. Në rast se vazhdohet me këtë trend të zhvillimi ekonomik, vendi do të mbetet me dekada larg standardit europian dhe do të rrezikojë kështu të ardhmen.

Po në rast të reformave substanciale dhe strategjive urgjente të zhvillimi ekonomik dhe fokusimit në ekonomi të tërë kapacitetit institucional si prioritet, atëherë përmirësimet dhe arritjet do t’i  japin drejtim pozitiv zhvillimit ekonomik dhe të ardhmes së Kosovës.

Drejtori Ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovës, Arian Zeka, thotë për lajmi.net se në vend ka resurse për ngritje të trendit të zhvillimit ekonomik, por se nevojitet strategji zhvillimi.

Zeka pajtohet me përfaqësuesin e Bankës Botërore në Kosovë, Jan Peter Olters, i cili ditë më parë ka thënë se Kosovës i duhen jo më pak se 80 vjet për ta arritur standardin ekonomik të vendeve mesatare europiane.

Ai thotë se, fatkeqësisht, mendon njësoj me përfaqësuesin e BB.

“Duke pasur parasysh normën momentale të zhvillimit ekonomik, e cila megjithëse është pozitive, është shumë e ulët për të mundësuar një zhvillim më të qëndrueshëm ekonomik të vendit, atëherë mund të them që deri diku edhe unë ndajë një pjesë të mendimit të z.Olters”.

“Por, megjithatë, dëshiroj dhe mbes optimist që në vitet në vijim do të kem një të kuptuar më të madh të nevojës për fuqizimin e sektorit privat të vendit, si bartësi kryesor i zhvillimit ekonomik të vendit. Por që kjo të ndodhë, nevojitet hartimi i një strategjie gjithëpërfshirëse të zhvillimit ekonomik të vendit me komente dhe inpute nga të gjitha palët e interesit”.

Kreu i OEAK’së thotë se Kosova ka mundësi zhvillimi ekonomik në fushën e turizmit, në fushën e mineraleve dhe në sektorë tjerë.

“Institucionet qeveritare duhet të fokusohen në ato potenciale ose resurse ekonomike në të cilat është bazuar zhvillimi ekonomik i vendit në të kaluarën, përfshirë këtu resurset e shumta minerare, që ofrojnë mundësi jo vetëm për prodhim të produkteve minerare, por edhe në gjenerimin e energjisë elektrike, një produkt mjaft i nevojshëm në ditët e sotme, anembanë botës”.

“Po ashtu duhet të fokusohemi në nxjerrjen e përfitimeve më të mëdha nga zhvillimi i potencialeve në sektorin e turizmit, për të cilin poashtu kemi mundësi të mira natyrore. Duke pasur parasysh relievin e përshtatshëm gjeografik, duhet të vazhdojë dhe të rritet mbështetja për ata që shohin vlera nga aktivitetet bujqësore dhe të agrobiznesit në përgjithësi”.

“Dhe krejt në fund, të bëjmë më tepër në zhvillimin e shkathtësive të fuqisë punëtore të Kosovës, për krijimin e mundësive që kompanitë kosovare të kryejnë shërbime të kontraktuara për kompanitë jashtë vendit tonë”.

Ai ka përmendur edhe politikat fiskale dhe masat stimuluese që duhet përdorur nga shteti që të joshë investitorët e huaj dhe vendor.

“Duhet të vë prioritetet në çështjet ekonomike dhe këtë ta dëshmojë me veprime konkrete. Të shohë dhe të mësojë nga vendet e rajonit të cilat tashmë përmes disa masave lehtësuese dhe stimuluese fiskale dhe jofiskale kanë arritur të krijojnë mjedise tërheqëse për investitorët e huaj e natyrisht edhe për investitorët vendor”.