Kosova përballë ekstremizmit dhe të kthyerve nga Siria

22:23 | 1 Janar 2020

Radikalizmi dhe fundamentalizmi janë një ndër problemet më të mëdha në botë aktualisht, por edhe në Kosovë.

Vite më parë, në Kosovë llogaritej se rreth 50,000 persona kanë ide të radikalizmit dhe fundamentalizmit, shifër kjo që ka rënë dukshëm vitet e fundit.

Megjithatë, në luftërat fetare në Siri dhe Irak, Kosova prinë me numrin e qytetarëve të përfshirë në këto lufta, me ç’rast shumë hoxhallarë edhe u arrestuan dhe u morë në pyetje.

Por, a rrezikohet sot Kosova nga radikalizmi dhe fundamentalizmi? Si manifestohet kjo dukuri dhe çfarë konsekuenca mund të ketë?

Lajmi.net ka zhvilluar bashkëbisedim me sociologun Jeton Brajshori dhe me imamin Zuhdi Hajzeri për të zbardhur edhe më tutje situatën që gjendet tani Kosova në përballje me këto dukuri.

Sociologu Jeton Brajshori për lajmi.net është shprehur se radikalizmi dhe fundamentalizmi zakonisht manifestohen në vende me ekonomi dhe mirëqenie të dobët, vende diktatoriale dhe me konflikte të vazhdueshme.

Sipas tij, në Kosovë ky fenomen ka lulëzuar pas mbarimit të luftës.

“Radikalizmi dhe fundamentalizmi zakonisht manifestohet në shtetet diktatoriale, shtetet me mirëqenie të dobët dhe ekonomi të dobët. Në vende me konflikte të vazhdueshme apo ato të sapodalura nga lufta, siç është rasti me ne mirëpo ky fenomen i atakon edhe shtetet e zhvilluara por në një masë më të vogël sepse kanë kontroll më të madhe. Tek ne në Kosovë që nga mbarimi i luftës këto fenomene kanë marrë hov të madh i cili vit pas viti ka shënuar rritje ndërsa kulminacionin e ka arritur me fillimin e të ashtuquajturës “pranvera arabe”, ku me qindra veta shkuan të luftonin në këto luftëra të pakuptimta, ndërsa vlen të theksohet një numër i madh i atyre që kanë shkuar në Siri ku dhjetëra prej tyre kanë humbur jetën atje”, tha Brajshori për lajmi.net.

Sipas tij, radikalizmi nuk mund të definohet, por fundamentalizmi nënkupton se ideologjia e cila përfaqësohet nga një grup njerëzish është e vërtetë absolute dhe kushdo që e kundërshton duhet të dënohet.

Brajshori ka theksuar se kjo frymë në Kosovë ka ardhur pas luftës me organizata të ndryshme religjioze.

“Përderisa me radikalizmin nuk ka ndonjë definicion të saktë me të nënkuptojmë se një individ apo grup të cilët përkrahin ndryshime të mëdha si në rrafshin ekonomik, politik dhe religjioz. Ndërsa te fundamentalizmi gjërat ndryshojnë ku ideologjia religjioze është absolute dhe çdo gjë në kundërshtim me të është e papranueshme dhe duhet të dënohet. Ky fenomen negativ në vendin tonë ka ardhur pas luftës. Hyrja pa kontroll e shumë organizatave të huaja religjoze dhe ardhja e shumë individëve nga vendet ku religjioni është dogmë ka bërë të rritet shkalla e radikalizmit dhe fundamentalizmit. Ideologjitë e mbrapshta të shumë klerikëve fetarë tek ne, ka bërë që një pjesë e shoqërisë tonë të radikalizohet dhe të shndërrohet në instrument për arritjen e qëllimeve të tyre. Është brengosëse fakti që ka edhe individ të shkolluar dhe përkundër saj proklamojnë ide primitive”, tha Brajshori për lajmi.net.

Sipas Brajshorit këto dukuri mund të kenë pasoja të shumta duke shtuar se sektet e ndryshme që kanë penetruar në Kosovë janë arsye pse ekziston ky fenomen.

Sipas tij, pasojat mund të jenë izolimi dhe shembulli i keq i një shteti dhe ajo që mund të bëhet është shteti përmes mekanizmave si policia dhe AKI-ja t’i mbajë nën vëzhgim personat e dyshuar.

“Konsekuencat nga radikalizmi dhe fundamentalizmi janë të shumta. Në Kosovë, shumica e popullatës janë e besimit islam, ndërsa brenda saj kanë penetruar edhe disa sekte të cilat njihen si shumë ekstreme, siç është sekti Selefi, të cilat janë kundër integrimit në shoqëritë moderne pro-perëndimore, pra nga iluminizmi dëshiron të kthehen në obskurantizëm. Pasojat e këtyre fenomeneve mund ta dërgojnë vendin në izolim dhe të merret si shembull i keq. Shteti përmes mekanizmave të tij si policia dhe AKI-ja duhet t’i ketë nën vëzhgim, të kenë kujdes dhe të reagojnë që të pamundësojnë individët dhe grupet e tilla të fuqizohen. Të bëhen sa më shumë fushata vetëdijësuese, për arsye se një numër i tyre janë mashtruar në shërbim të ndonjë favori ose të mire materiale. Edhe mediat duhet të kenë kujdes se kujt i jepet hapësirë. Pra, në përgjithësi shoqëria jonë duhet të jetë vigjilente sepse kujt duhet të rreshtohet. Rinia e vendit tonë është e shëndoshë dhe duhet ta ruajnë unitetin dhe së bashku të luftojmë kundër çfarëdo fenomeni që vë në rrezik shoqërinë”, tha Brajshori për lajmi.net.

Në anën tjetër, imami Zuhdi Hajzeri ka përmendur raste kur duhet të merren parasysh këto aktivitete.

Sipas tij, duhet të kihet kujdes nga “Ujqërit e Vetmuar”, të cilët janë të indoktrinuar dhe nuk kanë arritur të shkojë në Siri ose Irak për të kontribuar në luftëra.

Ai ka përmendur edhe shitjen e librave falas të cilat sipas tij kanë financim të fuqishëm nga diku tjetër, për arsye se shitja e siç thotë ai 5,000 kopjeve është e pamundur.

Hajzeri ka theksuar se duhet të kihet kujdes nga të kthyerit nga Siria pasi të tillët janë të trajnuar mirë për të kryer sulme terroriste edhe pa armë.

“Nëse në një qytet mund të ketë një numër të madh të indoktrinuarve duke u bazuar në atë se nëse një grup njerëzish arrijnë ta tejkalojnë me aktivitete institucionin legjitim fetar, nëse 4 persona udhëtojnë me institucionin fetar për në UMRE, ndërsa me persona privat të ideologjisë tjetër udhëtojnë 11 persona apo më shumë, kjo nënkupton numrin e madh të indoktrinuarve me ideologji jashtë ideologjisë së institucionit fetar, nëse një person me ideologji ekstreme i pa punë në një qytet boton 5 mijë kopje të një libri dhe i shpërndan falas kjo nënkupton se ka edhe financim të lartë të personave të indoktrinuar në atë qytet. Sa i përket rrezikut në një qytet, duhet kuptuar se asnjë vend nuk është imun ndaj rrezikut të terrorizmit, rreziku më i madh llogaritet nga “Ujqërit e Vetmuar” (sipas ekspertëve të inteligjencës botërore ata janë personat që janë të indoktrinuar e nuk kanë arritur të udhëtojnë në Siri dhe Irak për të “kontribuar” në Xhihad) po ashtu rreziku nga ata që janë kthyer dhe do të kthehen nga atje, të kthyerit përbëjnë një kërcënim serioz sepse ata kanë qëndruar në zona te konfliktit për një kohë të gjatë, atje kanë marrë pjesë dhe janë trajnuar për të kryer operacione terroriste dhe për të përdor armët”, tha Hajzeri për lajmi.net.

Hajzeri është shprehur se ekstremizmi është një nga krizat më të mëdha që ballafaqohet shoqëria sot dhe sipas tij është i përhapur brenda grupeve të ndryshme në shoqëri.

Hajzeri ka përmendur edhe manifestimet më të rëndësishme të ekstremizmit duke shtuar se kjo karakterizohet me gjendje të mbylljes mendore dhe ngurtësi intelektuale.

“Ekstremizmi fetar është një nga krizat më të mëdha me të cilat ballafaqohet shoqëria  në përgjithësi dhe shoqëria shqiptare po ashtu, kjo nuk mund të kufizohet në një grup apo kategori të caktuar dhe në një rajon të caktuar apo shtet te caktuar. Është e dukshme se ata që u përkasin grupeve terroriste janë ekstremistë, ekstremizmi është i përhapur brenda grupeve të ndryshme në shoqëri, nuk është specifike për një person dhe është e vështirë te zbulohet se nga buron. Ekstremizmi  është një mënyrë e të menduarit të mbyllur, e cila karakterizohet nga pamundësia për të pranuar ose toleruar ndonjë besim që ndryshon nga besimet e një personi ose grupi. Nga efektet sociale të ekstremizmit fetar  është një gjendje e mbylljes mendore dhe ngurtësie intelektuale, manifestimet më të rëndësishme të ekstremizmit fetar janë: Keqkuptimi i fesë, Fanatizmi i jo tolerancës në mendime, Akuzojnë njerëzit si të mashtruar  duke i akuzuar për largim nga feja, Dhuna në trajtimin dhe marrëdhëniet me të tjerët, vrazhdësia në metodë”, tha Hajzeri për lajmi.net.

Hajzeri për lajmi.net ka radhitur edhe një varg të gjërave që duhet të ndërmerren për të preventuar rritjen e një fenomeni të tillë.

“Përshtatja e diskursit fetar dhe konsensusi midis institucioneve fetare në një ligjërim të qartë dhe të moderuar. Nxitja e tolerancës, e cila është baza e paqes civile nëpërmjet garantimit të diversitetit të shtetit nëpërmjet administrimit të saj me legjislacionin e duhur. Përdorimi i fushatave vullnetare në të cilat punon shoqëria civile. Formulimi i programeve arsimore dhe kulturore të të rinjve, qëllimi i të cilave është të përqendrohet në kulturën e pluralizmit dhe promovimit, diversitetit dhe bashkëjetesës paqësore midis të gjithë sektorëve të shoqërisë. Duhet të kujdesen për gratë dhe të mos e harrojnë këtë kategori të shoqërisë, të cilat janë aktive në organizatat e shoqërisë civile të grave, sepse këto organizata (ndryshe nga institucionet qeveritare) mund të arrijnë lehtësisht segmente të shumta. Imami i Madh Dr. Ahmed Tajjib në lidhje me bashkë jetesën thotë: Nuk qëndron ajo se, nëse unë respektoj fenë e tjetrit atëherë edhe kamë besuar në atë fe, por besoj në lirinë e të tjerëve për të besuar një fe që është në kundërshtim me fenë time.”, është shprehur Hajzeri për lajmi.net.

Kosova në bashkëpunim me SHBA-të ka kthyer në Kosovë një numër të madh të qytetarëve të saj të përfshirë në luftërat në Siri dhe Irak të cilët do të përballen edhe me drejtësinë.

Megjithëkëtë, një numër i madh i tyre vazhdojnë të qëndrojnë në zonat e luftës (mbi 100 kosovarë), dhe sipas ekspertëve kjo mund të jetë shqetësuese për Kosovën.

Megjithatë, sipas ekspertit të sigurisë, Avni Islami, rreziku nga radikalizmi dhe fundamentalizmi ka rënë dukshëm në Kosovë nëse krahasohet me të kaluarën.

“Mendoj që diku nga viti 2010 ka qenë në trend radikalizmi përmes vehabizmit, mirëpo trendi i asaj ka rënë në mënyrë drastike”, ka thënë Islami. /Lajmi.net/