Kosova pas ndërkombëtarizimit

Futbolli kosovar vazhdon të jetë i izoluar. Mirëpo, sipas të përditshmes austriake Presse, kësaj bllokade pritet t’i vijë fundi shumë shpejt me lejimin e zhvillimit të ndeshjeve miqësore ndërkombëtare. Cilat janë planet e FFK'së?

Sport

04/01/2014 17:45

Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) shpreson se me 10 janar në Zurich do të marrë lejen nga FIFA për zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare, njofton e përditshmja austriake Presse.

Por, rruga e anëtarësimit në asociacionet ndërkombëtare është ende e gjatë.

Zyrtari i FFK’së, Artan Govori, ka deklaruar se dueli i parë, sipas gjitha gjasave, mund të zhvillohet në Prishtinë.

“A do të jetë kundër Kroacisë, ose ndonjë skuadre tjetër, ende nuk e dimë. E sigurt është se ndeshja e parë zyrtare miqësore e Përfaqësueses së Kosovës do të zhvillohet në Prishtinë”, deklaroi ai për Presse.

Kjo e përditshme austriake ka shkruar se Kosova, prej kur shpalli pavarësinë në shkurt 2008, është ende në “geto të futbollit” dhe se kundërshtimi nga Federata e Futbollit të Serbisë (FSS) dhe pengesat politike e kanë pamundësuar depërtimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare te futbollit.

Mirëpo, sipas Presse ka ardhur koha që Kosova të thyejë barrierën e zhvillimit të dueleve miqësore ndërkombëtare.

Shembulli i Gjibraltarit – Mirëpo, pasi Gjibraltari – pavarësisht kundërshtimit të Spanjës – mori lejen nga FIFA të zhvillojë miqësore ndërkombëtare, duket se ka ardhur radha që këtë mundësi ta ketë edhe Kosova.

Presse përkujton se Kosova tashmë ka zhvilluar disa ndeshje jozyrtare ndërkombëtare kundër Shqipërisë, Arabisë Saudite, Qipros Veriore, Monakos si dhe disa klube zvicerane dhe suedeze, por pa leje nga FIFA, FFK nuk ka qenë në gjendje as t’i ftojë shumë yje që nuk e veshin ‘uniformën e kaltër’.

Bllokada që Kosova të luajë në nivel ndërkombëtar ka bërë që shumë yje si Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Lorik Cana e shumë të tjerë të luajnë për skuadra tjera Përfaqësuese.

“Zvicra dhe Shqipëria shfrytëzojnë golgeterët kosovarë për nevojat e tyre”, shkruan Presse.

FFK nuk do të ftojë Shaqirin me shokë – Sipas Govorit, pasi FIFA të lejojë zhvillimin e ndeshjeve miqësore ndërkombëtare për Kosovën, FFK prapë nuk do t’i ftojë futbollistët kosovarë që luajnë për Shqipërinë dhe Zvicrën që të “luajnë për vendlindjen e tyre”.

“Kjo nuk do të bëhet përderisa nuk të kemi të drejtë të marrim pjesë në kualifikime për në Kampionat europian ose Botëror andaj nuk kemi çka t’u ofrojmë disa futbollistëve që tashmë janë kualifikuar për në Brazil”, u shpreh Govori.

Duke konsideruar se Euro 2016 do të vjen shumë herët për Kosovën, Govori beson se kualifikimet për Botërorin 2018 mund të jetë cak i arritshëm.

Presse raporton se derisa shumë futbollistë përfshirë Shaqirin do të përballen me vendimin e vështirë se kë ta përfaqësojnë në të ardhmen, në Prishtinë ekziston shpresa se ylli i Manchester Unitedit, Adnan Januzaj – të cilin e kërkojnë Shqipëria, Anglia e Belgjika – mund të jetë “yll i Përfaqësues së re të Kosovës”.