Kosova nuk ka qenë kurrë Turqi

9:47 | 27 Tetor 2013

andrea stefani

Historikisht Kosova nuk ka qenë Turqi edhe gjatë shekujve të sundimit të Perandorisë Otomane, për faktin e thjeshtë se atëherë Turqia vetë nuk ishte Turqi.

“Mos harroni, Turqia është Kosovë dhe Kosova është Turqi”!

Kjo deklaratë e Kryeministrit turk Erdogan ka ngjallur reagime të shumta kundërshtuese në Kosovë dhe Shqipëri. Dhe jo pa të drejtë. Sepse deklarata është absurde jo vetëm për stadin e sotëm kur kombet janë përkufizuar qartë, madje ashpër, por ajo nuk i qëndron dot edhe sfondit historik nga përpiqen ta huazojnë.

Ndërkaq, si pjesë e një diplomacie neo-otomane, deklarata nuk mund ta fshehë dot themelin e një solidariteti pan-islamik që nuk mund të mos gërricet me orientimin e Kosovës, Shqipërisë, madje edhe të Turqisë vetë, drejt integrimit me BE-në që është një proces politik laik, domethënë indiferent ndaj dallimeve fetare.

***

Historikisht Kosova nuk ka qenë Turqi edhe gjatë shekujve të sundimit të Perandorisë Otomane, për faktin e thjeshtë se atëherë Turqia vetë nuk ishte Turqi.

Sikundër ka argumentuar Bernard Ljuis në librin e tij “Lindja e Turqisë moderne”, kemi pasur një proces të largimit të Perandorisë Otomane nga identiteti turk dhe kalimin drejt një identiteti islamik. Sipas tij, “Në shkrimet otomane, deri në fund të shekullit XIX dhe në shumë prej tyre edhe më vonë, fjala “Turqi” nuk përdoret”. Fjala e përdorur për të treguar atdheun ishte “Vatan”, ndërsa ajo që tregonte kombin “Millet”, por larg kuptimit që ato morën më vonë dhe që e ruajnë edhe sot. “Vatan” përdorej më shumë për vendlindjen, fshatin, qytetin, krahinën.

Ndërsa termi “Millet” do të përdorej për të treguar bashkësitë fetare të organizuara dhe ligjërisht të njohura. “Në Perandori kishte një Milletmysliman, por jo Millete turke, arabe, apo kurde; ekzistonte Milleti grek, armen dhe çifut, por si bashkësi fetare dhe jo si kombe etnike… Do të pritej një datë relativisht e vonë, për të hasur idenë e njësive kombëtare, të cilat i kapërcenin dallimet fetare”. Lindja e vetëdijes kombëtare të turqve korrespondon thuajse me rënien e Perandorisë Otomane. Prandaj as Turqia nuk mund të qe Kosovë dhe as Kosova, Turqi. Sa qe Perandoria nuk kishte Turqi. Kur lindi Turqia, edhe Kosova doli përballë saj si Shqipëri.

E vetmja mundësi për të ndërtuar një identitet Turqi-Kosovë duke revokuar traditën otomane, është interpretimi i termave Vatan dhe Millet si bashkësi e të gjithë nënshtetasve otomanë, pavarësisht nga feja, sipas kuptimit që ato morën në Dekretin e Kopshtit të Trëndafilave në vitin 1839. Por, në këtë rast, Erdogan mund të pretendonte që jo vetëm Kosova, por edhe Serbia, Greqia janë Turqi! Atëherë mbetet vetëm një mundësi, sado edhe kjo e pasaktë, për të huazuar identitetin artificial Kosovë-Turqi nga e kaluara otomane.

Rikthimi te termi “populli i islamit” që brenda Perandorisë Otomane, në një moment të caktuar, nisi të dallohej nga definicionet “kombet e tjera” apo “kombet e huaja”. Dhe sipas atij koncepti, kosovarët, si edhe turqit, i kanë përkitur dhe i përkasin të njëjtit “popull të islamit” sa kohë që i përkitnin dhe i përkasin të njëjtës fe islame.

Shkurt, deklarata e Erdogan nuk mund të fshehë tendencat e një diplomacie që i jep përparësi përkatësisë fetare, një diplomaci me axhendë islamike. Por politikat e bazuara në solidaritetin njëfetar janë shumë të rrezikshme për kombe multifetare, sikundër është ai shqiptar. Shqiptarët kanë mundur të mbijetojnë, edhe sepse kanë arritur të vendosin kombin përpara feve, kanë bërë shqiptarinë fe të tyre.

Prandaj më duket i drejtë shqetësimi i ngritur edhe nga deputetja kosovare, Alma Lama, që në një letër të hapur i shkruan Kryeministrit Erdogan se: “…axhenda islamike për ne është helm. Ky helm kontaminon botëkuptimin tonë për fenë, bashkëjetesën që kultivuam prej shekujsh, respektin për fenë e tjetrit… mos na e sillni atë helm këtu!”.

***

Kosova është Shqipëri ashtu sikundër Turqia është Turqi! Asnjë përkufizim modern, qoftë i kombit, qoftë i popullit dhe sovranitetit, nuk përligj deklaratën e Erdogan. Njëherazi, ajo nuk sjell asnjë të mirë në rajonin e Ballkanit. Sinjali u dha me deklaratën e Daçiç, që nxitoi të kundërdeklaronte se Kosova është Serbi!

Ndërkaq nuk mund të mos polemizosh edhe me pretendime që duan ta përligjin deklaratën e Kryeministrit turk me nevojën që paska Kosova, Shqipëria dhe shqiptarët në rajon, për mburojën e Turqisë nga rreziku sllav apo grek. Është evidente se në politikën serbe, si dhe në atë greke, ka korrente ende të fuqishme shovene kundrejt Kosovës dhe Shqipërisë.

Por është qesharake të mendosh se kërcënime të tilla (tashmë edhe ato vetë një farsë) duhen shmangur duke u vëllazëruar me një diplomaci turke me axhendë islamike. Do të qe një si rikthim tek i ashtuquajturi rrezik sllav për shuarjen e kombit shqiptar që Ismail Kadare, shkrimtari më i shquar i shqiptarëve, e ka denoncuar si një përrallë, si “një shpikje osmanistësh dhe neoosmanistësh, shqiptarë dhe turq bashkë, e cila, nga njëra anë përligjte sundimin osman, e nga tjetra ledhatonte krekosjen sllave për kinse fuqinë tërheqëse të sllavizmit”.

Por edhe nëse vërtet e ardhmja do të ofronte një rrezik të tillë, shqiptarët, myslimanë e të krishterë, e kanë mburojën e tyre dhe nuk kanë nevojë për mburojë tjetër dhe aq më pak atë otomane. Do e gjejnë pikërisht tek ajo që luftoi duke sfiduar solidaritetin fetar të krishterë (shtete me popullata në shumicë të krishtera bombarduan një shtet tjetër të tillë si Serbia, për t’i dhënë pavarësi një vendi me shumicë myslimane) për lirinë e shqiptarëve nga sundimi sllav në Kosovë. Do e gjejnë tek Europa, te SHBA, te NATO dhe Perëndimi. Edhe mbrojtjen turke mund ta përfitonin nëpërmjet NATO-s.

Europa dhe Perëndimi me standardet e tyre të lirisë dhe të drejtës, janë garanci kundrejt çdo rreziku dhe padrejtësie shoviniste në Ballkan. Edhe sikur ato të nxiteshin nga qarqe politike në një shtet anëtar i saj siç është Greqia. Sa më pranë Europës, standardeve të saj të lirisë, aq më të sigurt do të jenë shqiptarët, kudo në Republikën e Kosovës, në Republikën e Shqipërisë, në Maqedoni apo në Mal të Zi. Dhe axhendat islamike, ngado dhe sado vëllazërisht që të na serviren, nuk e afrojnë, por na e largojnë Europën. Madje, ndonjë ditë, mund të na nxirrnin kundër saj.

(Shqip)