Kosova nuk është e gatshme as politikisht e as ekonomikisht për zgjedhje të parakohshme

Kriza aktuale politike në Kosovë ka bërë që në opinionin publik të diskutohet mundësia e zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Por, kosto e lartë financiare dhe polarizimi i skajshëm i skenës politike në Kosovë mund të jenë dy probleme që e pamundësojnë këtë, ose së paku bëjnë që Kosova të mos jetë e gatshme për një proces të ri zgjedhor të jashtëzakonshëm.

Lajme

05/12/2020 13:00

Analisti Rasim Alija për lajmi.net është shprehur se është çështje e partive politike shkuarja ose jo në zgjedhje të parakohshme, pasi sipas tij partitë politike i bëjnë kalkulimet e tyre sa i përket projeksioneve për rezultatet e mundshme zgjedhore.

Sipas tij, Lëvizjes Vetëvendosje do t’i konvenonin tej mase zgjedhjet e reja të parakohshme dhe Alija thotë se subjektet tjera politike janë të vetëdijshme për këtë.

“E para është nëse do të ketë ose jo zgjedhje të parakohshme është çështje e vendosjes së partive. Realisht partitë politike do të duhej të mendonin për zgjedhje të jashtëzakonshme dhe në situata të zakonshme dhe jo vetëm në këtë situatë ku jemi. Pra, në kuptimin e kësaj është në rregull të pritet zgjedhje të parakohshme sepse subjektet politike dhe analizat që i bëjnë partitë politike bjen në domenin e subjekteve politike që unë besoj se zgjedhjet e ardhshme të parakohshme do t’i konvenonin Lëvizjes Vetëvendosje në aspektin elektoral sesa partive të tjera dhe subjektet e tjera këtë e dijnë dhe e kalkulojnë.”, tha Alija për lajmi.net.

Alija më tutje tha se raporti i brendshëm i forcave politike dhe konstelacioni aktual ka gjasë që do ta thellonte krizën politike në Kosovë ku do të vonohej krijimi i institucioneve ose Kosova do të mbetej me qeveri në detyrë.

Më tutje, ai shprehet se nuk sheh ndonjë dritë në funksion të ndonje zgjidhje të re edhe sa i përket çështjes së presidentit e cila do të jetë në tavolinë për secilën mazhorancë që vjen në Kuvendin e Kosovës.

“Sa i përket sfidave, raporti i brendshëm i forcave politike, konstelacioni aktual realisht ka gjasa se do të mund ta thellonte krizën edhe më tepër ku Kosova do të mbetej për një periudhë prej minimum gjashtë muaj pa institucione ose me qeveri në detyrë sepse edhe qeveria e ardhshme do ta ketë çështjen e presidentit në tavolinë, cila do qeveri, cila do mazhorancë që vie sërish do ta ketë këtë çështje. Unë nuk shoh një dritë në kuptimin e asaj se çfarë do të prodhonin zgjedhjet në zgjidhjen e çështjes së presidentit.”, tha ai më tutje.

Alija gjithashtu shprehet se edhe afatet kohore për shpalljen dhe mbajtjen e zgjedhjeve duhet të merren parasysh e gjithashtu edhe situata me pandeminë.

Ai në fund është shprehur se iu mbetet partive politike të vendosin nëse do ta dërgojnë vendin në zgjedhjet e parakohshme.

“Në anën tjetër, 3 mujorëshi i ardhshëm mund të jetë sa sfidues edhe problematik, duhet të llogaritet edhe 45 ditëshi nga shpallja e zgjedhjeve, shto këtu faktin e situatës me pandeminë, pra në Kosovë gjasat reale që zgjedhjet të mbaheshin do të ishte muaji maj, që mbetet si opsion real nëse subjektet politike dakordohen dhe situata politike sjell si produkt final zgjedhjet e parakohëshme, por iu mbetet partive politike ta shohin në dritën e tyre të kalkulimeve nëse dojnë ta dërgojnë vendin në zgjedhje ose jo.”, tha Alija.

Në anën tjetër, eksperti i Ekonomisë Safet Gërxhaliu është shprehur se Kosova është në pozitë të palakmueshme, me krizë enorme politike dhe paqëndrueshmëri ekonomike e sipas tij neglizhenca e partive politike në pandemi në raport me qytetarin do t’iu kushtojë në zgjedhje.

“Kosova është në pozitën më të palakmueshme nga viti 1999, një situatë e cila karakterizohet me krizë enorme politike, me një paqëndrueshmëri ekonomike, krizë sociale dhe inflacion të ulët. Në aspektin psikologjik qytetarët e kanë humbur shpresën që në Kosovë mund të vijnë ditë më të mira në veçanti në pandemi ku në vend se qeveria të jetë pranë qytetarëve dhe bizneseve, Kuvendi është shndërruar në arenë të kundërshtarëve politikë ku po luftohet për pozita dhe kjo e ka dëmtuar Kosovën në masë të madhe dhe qytetarët një situatë të tillë nuk do t’sa falin në zgjedhjet e ardhshme”, tha Gërxhaliu.

Gërxhaliu tha se zgjedhjet e tjera të parakohshme në Kosovë do të ishin fatale për vendin dhe se Kosova nuk e ka lluksin që t’i përballojë edhe një palë zgjedhje të reja.

Sipas tij, Kosova është në situatë emergjente dhe para se gjithash duhet të mendohet për qytetarin dhe shpëtimin e bizneseve nga falimentimi.

“Është shqetësuese fati se qeveria është jo-stabile dhe një palë zgjedhje të tjera do të ishin fatale për Kosovën, vet fakti që në mars e kemi pasur qeverinë e parë dhe tani kemi qeverinë Hoti që ka jo-stabilitet qoftë numerik, qoftë politik ose përmbajtësor atëherë është fazë e palakmueshme dhe shumëkush mund të mendojë se zgjedhjet janë zgjidhje, por besoj që është situatë shumë dëshpruese, Kosova ekonomikisht e ka të vështirë të përballojë lluksin politik dhe në këtë pikë duhet të ketë reflektim politik, ani pse nuk ka gjendje të jashtëzakonshme, Kosova është në situatë emergjente dhe duhet të mendohet për qytetar dhe për biznes.”, tha Gërxhaliu.

Ai në fund tha se situata është vërtetë alarmante, zgjedhjet nuk janë zgjidhje dhe uniteti politik nuk ka alternativë.

Posti i presidentit ka bërë që partitë politike të mos arrijnë konsensus rreth emrit i cili do të ushtrojë këtë post pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale.

Aktualisht, pozitën e presidentit si ushtruese e detyrës e mban kryekuvendarja Vjosa Osmani, por partitë politike po i bëjnë kalkulimet e tyre për ta marrë njërën nga tri postet kryesore të shtetit.

Ramush Haradinaj është kandiduar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës për president të vendit por i njëjti nuk e ka mbështetjen as të Lidhjes Demokratike të Kosovës, as të Partisë Demokratike të Kosovës e as të Lëvizjes Vetëvendosje.

Haradinaj, ka paralajmëruar se nëse nuk ka zgjidhje për presidentin, atëherë vendi duhet të shkojë në zgjedhje të parakohshme dhe ky qëndrim i tij ka bërë që zgjedhjet e parakohshme të jenë epilogu më i mundshëm i krizës politike aktuale./Lajmi.net/