Kosova nuk është as rrugës për anëtarësim në NATO

Bashkimi Evropian nuk parasheh anëtarësimin e ndonjë anëtar të ri për gjatë pesë vjetët të ardhshme. Këtë lajm e ka konfirmuar ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati. Sipas tij, Kosova aktualisht nuk gjendet fare në rrugën e anëtarësimit në NATO. 

Lajme

10/09/2014 16:00

Vendet që synojnë të bëhen anëtare e Bashkimit Evropian duhet të presin së paku edhe pesë vjet për një gjë të tillë. Kjo pasi agjenda e Bashkimit Evropian për gjysmë dekade nuk planifikon asnjë zgjerim me vende të reja.

Këtë e ka bërë të ditur të mërkurën ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Ditmir Bushati, i cili bëri publike disa detaje të reja mbi Samitin e Berlinit dhe Samitin e NATO-s të zhvilluara ditë më parë në Gjermani dhe Uells, raporton KosovaPress.

Duke u ndalur pak tek raporti ekonomik mes vendeve të BE-së dhe atyre të rajonit, ministri tha se hendeku ekonomik midis tyre është i madh, dhe gjatë samitit të Berlinit u kërkua të ndryshohet ky raport.

“Nuk do të ketë zgjerim me vende të reja në Bashkimin Evropian. Pra, në 5 vjetët që do të vijnë, ne nuk do të shohim një anëtar të ri të BE-së. Në dokumentin paraprak apo dokument pune, siç e kemi quajtur ne, kemi bërë kërkesa specifike për të ndryshuar raportin ekzistues nga pikëpamja ekonomike ndërmjet vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian”.

“Sot për sot, hendeku mes vendeve të rajonit dhe BE është i madh. Vendet e BE-së në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor, marrin 5 deri në 6 herë më shumë fonde. Pavarësisht se në kuptimin politik të fjalës mund të thuhet se për 5 vjetët ardhshme nuk do të ketë zgjerim, është e rëndësishme që procesi të mbahet gjallë, por të shoqërohet me instrumente financiare, të nevojshme për të dhënë dinamizëm në kuptimin ekonomik të fjalës,” tha ministri Bushati.

Duke folur për në zhvillimet e Samitit të NATO-s ministri Bushati tha se në këtë takim u fol për politikën e zgjerimit apo dyerve të hapura, ku 4 shtete janë marrë në shqyrtim: Mal i Zi, Maqedonia, Bosnje-Hercegovina dhe Gjeorgjia. Ndërsa lidhur me konkluzionet e Samitit sa i përket Kosovës, edhe pse nuk është anëtare e NATO-s dhe 4 vende të saj nuk e kanë njohur ende, Bushati tha se në samit u kërkua mbështetje e NATO-s për Kosovën në të gjitha hapat që po ndërmerr në fushën e sigurisë dhe luftën kundër terrorizmit.

“Kosova nuk është e listuar as te grupi i vendeve aspirante me të drejtë sepse nuk ka një raport me NATO-n, as te grupi i vendeve partnere, sepse nuk ka një raport të institucionalizuar”.

“Ne kemi kërkuar që në funksion jo të thjesht të aspiratave të Kosovës, por edhe për interesin strategjik të NATO-s për të shtrirë në mënyrë të plotë rrezen e veprimit për sa i përket çështjeve politike dhe të sigurisë në Ballkan, edhe për shkak të situatës së re të krijuar në rajonin tonë; pavarësisht se 4 prej vendeve anëtare të NATO-s nuk e njohin Kosovën ende, ekzistojnë mundësitë që NATO të kishte një raport të institucionalizuar që e gjithë reforma në fushën e sigurisë të ishte një partneritet dhe mbikëqyrje nga aleatët, dhe sikundër të gjitha hapat që ndërmerr Kosova, kryesisht në luftën kundër terrorizmit të kishte mbështetje të plotë institucionale nga ana e NATO-s”, tha Bushati. (KosovaPress)