Kosova nis procesin e anëtarësimit në Këshillin e Europës

Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, është takuar në Strazburg me Sekretarin e Përgjithshëm të këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland. Hoxha e njoftoi Sekretarin e KiE me synimin e Kosovës për t’u anëtarësuar në këtë organizatë.

Lajme

25/02/2014 14:52

Ministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka nisur vizitën në Strasburg të Francës, për ta shtyrë përpara agjendën e anëtarësimit të Kosovës në Këshill të Europës.

Paradite, Ministri Hoxhaj është takuar me kreun më të lartë të këtij institucioni, Sekretarin e Përgjithshëm të Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen që ka dhënë Këshilli për Kosovën gjatë këtyre viteve.

Ministri Hoxhaj e njoftoi Sekretarin Jagland për zhvillimet në Kosovë, përparimin në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, si dhe për progresin e arritur në dialogun me Serbinë. Temë diskutimi ndërmjet Hoxhajt dhe Sekretarit të Përgjithshëm ishte dhe fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës dhe anëtarësimi në organizata rajonale dhe ndërkombëtare.

Shefi i diplomacisë kosovare, Hoxhaj e njoftoi Sekretarin Jagland me synimet e Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Europës, duke thënë se Kosova është një vend që mishëron parimet e Këshillit të Europës, siç janë demokracia, të drejtat e njeriut dhe sundimi i ligjit.

“Shumica e vendeve anëtare e Këshillit të Europës e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Për më shumë, marrëveshja e 19 prillit me Serbinë është argument shtesë pse Kosova duhet të aplikojë dhe të jetë anëtare e Këshillit të Europës pasi ka zgjidhur shumë çështje të hapura me Serbinë”.

“Kjo marrëveshje qartazi thekson se asnjëra palë nuk do të bllokojë rrugëtimin drejt Evropës. Si pjesë e këtij rrugëtimi është anëtarësimi në KiE, që për ne është si hap ndërmjetës drejt anëtarësimit të plotë në BE”, ka thënë Hoxhaj.

Ministri Enver Hoxhaj shprehu vullnetin për vazhdimin e bashkëpunimit me zyrën e Këshillit të Europës në Kosovë, thuhet në komunikatën e MPJ’së.