Kosova në UNESCO – MPJ, British Council dhe ambasada norvegjeze ju shpërblejnë me udhëtim për në Paris

Prishtinë, 26 tetor 2015 – Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës dhe British Council ftojnë të gjithë të interesuarit që të marrin pjesë në lojën shpërblyese për fotot apo ilustrimet më të mira të trashëgimisë së Kosovës në rrjetet sociale që përmbajnë thurjen #KosovoInUNESCO.

Lajme

26/10/2015 18:18

Në kuadër të projektit të përbashkët të Diplomacisë Digjitale të Ministrisë së Jashtme të Republikës së Kosovës, British Council, dhe me ndihmën financiare të Ambasadës së Mbretërisë së Norvegjisë, shpallet konkursi për imazhin më të mirë në rrjete sociale (Facebook, Twitter, Instagram, Flicker) me temë trashëgiminë kulturore të të gjitha etnive dhe feve në Kosovë. Fotot apo ilustrimet e vizatuara të postuara në rrjete sociale duhet të botohen me cilëndo nga thurjet në vijim: #KosovoInUNESCO, #KosovaNeUNESCO apo #KosovoUNESCO në periudhën kohore nga 26 tetori deri më 5 nëntor.


Fotot më të mira do t’i prezantohen publikut në një ekspozitë, ndërsa dhjetë fotot më të mira do të fitojnë nga një komplet librash kushtuar Kosovës në UNESCO. Autori i fotos më të mirë do të fitojë një udhëtim treditor për në Paris, me shpenzime të mbuluara për transport dhe fjetje.

Fushata #KosovoInUNESCO ka për qëllim sensibilizimin e publikut kosovar dhe ndërkombëtar për trashëgiminë e pasur dhe diverse në Kosovë. Prej kishave ortodokse serbe mesjetare deri te xhamitë dhe objektet e ndryshme si kullat apo edhe trashëgimia e lëvizshme ku përfshihen edhe odat, dasmat, besa, e kështu me radhë. Kosova ka shumëçka për t’i treguar botës.

Rregullat e garës janë të thjeshta, një person mund të aplikojë me numër të pakufizuar fotosh individuale; imazhet me gjuhë të urrejtjes apo të gjuhë përjashtuese nuk pranohen, ndërsa juria përbëhet nga përfaqësues të institucioneve mbështetëse. /lajmi.net