Kosova në pozicion të pafavorshëm, si do të vazhdoj dialogu tash e tutje?

Fjalët e rënda të hënën në një konferencë për media të Kryeministrit Albin Kurti ndaj Josep Borrell e Miroslav Lajçak për shumëkënd vunë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut në Bruksel. Por, europianët u treguan të vendosur duke e zyrtarizuar propozimin e Borrell e Lajçak që e refuzoi Kurti më 14 shtator. Të dy diplomatët morën…

Lajme

21/09/2023 19:25

Fjalët e rënda të hënën në një konferencë për media të Kryeministrit Albin Kurti ndaj Josep Borrell e Miroslav Lajçak për shumëkënd vunë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut në Bruksel. Por, europianët u treguan të vendosur duke e zyrtarizuar propozimin e Borrell e Lajçak që e refuzoi Kurti më 14 shtator. Të dy diplomatët morën mbështetje të gjerë në Perëndim, duke mos lënë asnjë mundësi se ata mund të largohen.

BOrrellin dhe Lajçakun i takoi edhe Presidentja Vjosa Osmani. Nga Washingtoni dhe Brukseli të mërkurën u dhanë sinjale se procesi vazhdon. Pyetja që mbetet është a do të kthehet Kryeministri në kryeqendrën europiane për përballje të reja.
Më 18 shtator, kryeministri Kurti tha se “pati një pozicionim të qartë të ndërmjetësit kundër Kosovës” dhe se në takimin me Aleksandar Vuçiqin ai u ekspozua “përballë një skenari” të emisarit të Bashkimit Europian, Miroslav Lajçak.

“Në takimin trilateral, u ekspozova përballë një skenari të cilin z. Lajçak dukej se e kishte dizejnuar kohë më parë. Presidenti i Serbisë dhe Miroslav Lajçak reaguan me të njëjtin mendim dhe me të njëjtën shpërfillje të koordinuar. Të dy thanë që ky plan është shumë jorealist”, tha Kurti, duke shtuar se ata kanë shkuar shumë larg me goditjen e të ardhmes së Kosovës.

Ankesën që e bëri para gazetarëve se ka të bëjë “me një emisar që e ka deformuar procesin”, Kurti tregoi se edhe e kishte shkruar me një letër që destinacion kishte Berlinin, Romën, Parisin e Washingtonin.

Për shkak të konfidencialitetit të korrespodencës në mes shteteve nuk dihet nëse Kurti ka marrë përgjigje, por s’vonoi shumë që shtetet anëtare të BE-së të dalin me një qëndrim të qartë në mbrojtje të emisarit të tyre dhe në ngulmin e tyre për krijuar Asociacionin. Kësaj deklarate i dha mbështetje edhe dy aleatët e fuqishëm të Kosovës – SHBA e Mbretëria e Bashkuar.

A do të vazhdojë dialogu në Bruksel nën ndërmjetësimin e “emisarit që e ka deformuar procesin”?

Vetë Lajçak nuk i ka komentuar deklaratat e Kurtit, por tregoi se nuk e ka problem që t’i vazhdojë takimet me udhëheqësit e Kosovës, pavarësisht akuzave.

Në Neë York ku shumë liderë botërorë janë mbledhur për Këshillin e Sigurimit të OKB-së, Lajçak zhvilloi një takim me presidenten Vjosa Osmani. Në njoftimin për takim, emisari europian la të nënkuptojë se do të ketë takime të ardhshme mes tij dhe palës kosovare – kryeministrit Kurti.

“Patëm një bisedë të detajuar dhe të dobishme me Presidenten Vjosa Osmani mbi gjendjen e dialogut dhe rrugën përpara në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes në rrugën e normalizimit. Ramë dakord të vazhdojmë diskutimin tonë”, njoftoi Lajçak në X.

Për takimin me Lajçakun shkroi edhe Osmani. Ajo e përmendi edhe punën e balancës në negociata.

“Në Neë York u takova me Miroslav Lajçak për të diskutuar zhvillimet e fundit në dialog. E theksova se suksesi është i lidhur me një balancim dhe zbatim të plotë të marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si dhe heqjen e masave të BE-së që po prekin qytetarët tonë”.

Për takimin njoftoi edhe Lajcak duke e quajtur të dobishëm dhe duke njoftuar se ka pasur dakordim për t’i vazhduar diskutimet.

Vazhdimësinë e procesit të dialogut e konfirmoi sot edhe zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, i cili tha se negociatat e ardhshme janë për atë se si do të duket Asociacioni, derisa refuzoi të flasë se si do të jetë statuti i tij.

Çështja se si të bëhet ai, në çfarë mënyrë e forme është për t’u diskutuar në dialog. Dialogu është platforma për të zgjidhur këto çështje. Procesi duhet të zhvillohet dhe do të zhvillohet në dialog, jo në publik, jo në media. Të gjithë të përfshirët e dinë se cili është pozicioni i BE-së dhe të gjithë janë në dijeni se cili është procesi që të mbërrijmë atje, që të kemi këto marrëveshje. Puna ka filluar në njëfarë mënyrë. Pritjet janë kornizuar në deklaratën e fundit të BE-së”, tha Stano.

Gazeta Express ka dërguar pyetje në BE për hapat e ardhshëm të dialogut pas dështimit të rundit të fundit dhe se kur do t’i thërrasë palët, por s’ka marrë përgjigje.

Po ashtu, as Zyra e Kryeministrit s’ka kthyer përgjigje nëse do t’i përgjigjen një ftese eventuale nga Unioni.

Tashmë është e qartë se Kurtit do t’i duhet të vazhdojë punën për normalizimin e raporteve me Serbinë me Lajçakun si ndërmjetësues.

Një deklaratë e fortë së fundi erdhi edhe nga kolegu amerikan i Lajçakut, emisari Gabriel Escobar, i cili madje u ka kërkuar edhe presidentes Osmani edhe kryeministrit Kurti që t’i dënojnë sulmet personale ndaj Lajçakut që shpërthyen në rrjete sociale pasi Kurti e akuzoi se nuk është i drejtë në negociata.

Escobar përmendi edhe numrat në raport me Kosovën dhe bashkësinë euroatlantike.

“Lajçaku gëzon besimin e plotë të Bashkimit Evropian dhe të Shteteve të Bashkuara. Të gjitha vendet e BE-së bënë një deklaratë të përbashkët pas dështimit të bisedimeve, me mbështetje për Lajçakun. Është diçka me të cilën duhet të përballen. Lajçaku nuk do të largohet. Dialogu nuk do të largohet” theksoi ai.

“Dhe nuk mendoj se një vend prej një milion e gjysmë do ta bindë komunitetin transatlantik prej 700 milionësh që të ndryshojë taktikat e tij. Mendoj se duhet të ketë një përqasje më pragmatike nga qeveria e Kosovës. Më duhet të them edhe diçka tjetër. Gjatë javës së fundit jam alarmuar nga sulmet personale ndaj Lajçakut që ekzistojnë në rrjetet sociale të Kosovës. I kërkova Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Kurti që t’i dënojnë këto sulme. Nuk po them se vijnë nga qeveria e Kosovës, por qeveria e Kosovës duhet të jetë shumë e qartë se sulmet personale ndaj përfaqësuesit të posaçëm janë të papranueshme”, shtoi Escobar.