Kosova në “FED Cup”

Trajneri, Arben Islami, i ka zgjedhur katër tenistet me të cilat do të marrë pjesë dhe ato janë: Edita Raca, Anduena Latifi, Fiona Polloshka dhe Arlinda Rushiti.

Sport

01/04/2016 12:17

Përfaqësuesja e Kosovës në tenis do të marrë pjesë në turneun prestigjioz ndërkombëtar të tenisit, “FED Cup”, respektivisht Botërorin Ekipor për Femra. Ky eveniment do të mbahet në Ulqin të Malit të Zi, nga 11 deri më 16 prill.

Për Kosovën kjo do të jetë hera e parë që merr pjesë në këtë eveniment. Trajneri, Arben Islami, i ka zgjedhur katër tenistet me të cilat do të marrë pjesë dhe ato janë: Edita Raca, Anduena Latifi, Fiona Polloshka dhe Arlinda Rushiti.

Islami, dikur tenisti më i mirë në Kosovë, beson në kapacitetin e tenisteve të tij. Me një short të mirë ai beson se Përfaqësuesja mund të arrijë suksese në “FED Cup”.

“Ky është një eveniment mjaft i rëndësishëm dhe për Kosovën është një pjesëmarrje historike. Por, nuk do të shkojmë atje vetëm sa për të marrë pjesë. Besoj shumë në cilësinë e lojtareve te mia. Shpresoj ta kemi një short të mirë, sidomos do të na konvenonte me ekipet afrikane dhe mund të arrijmë suksese në Ulqin”, u shpreh Islami për “Zërin”.

Ai tregoi se brenda tri ditësh katër tenistet do t’i ketë në dispozicion dhe me to do të ushtrojë për një javë, para se ta marrin rrugën bashkërisht të shtunën tjetër drejt Ulqinit, ku do të qëndrojnë gjashtë ditë, deri në përfundim të këtij kompeticioni.

Image

Islami është duke ushtruar momentalisht vetëm me Latifin, e cila jeton në Kosovë. Polloshka studion në Ankara dhe njëkohësisht luan tenis, prandaj ajo do të vijë në Kosovë në ditët në vijim, njëjtë si Rushiti, që jeton dhe luan në Zvicër, dhe Raca që luan në Angli.

Në këtë turne do të marrin pjesë rreth 100 teniste, 50 referë, 80 mbledhës të topave dhe mijëra spektatorë, çka e klasifikon këtë si një turne të nivelit botëror.

Kosova do të marrë pjesë në Grupin III, në të cilin marrin pjesë edhe Algjeria, Armenia, Qiproja, Greqia, Islanda, Maqedonia, Madagaskari, Malta, Moldavia, Mali i Zi, Maroku, Mozambiku, Irlanda, Luksemburgu, Norvegjia e Tunisi, raporton Zëri.

Gjatë ditëve në vazhdim do të hidhet edhe shorti i këtij evenimenti, ku marrin pjesë 17 skuadra, të ndara në tri grupe nga katër skuadra dhe një grup me pesë. Kosova do t’i zhvillojë tri meçe, dy individuale dhe një ekipore (dy kundër dy). Skuadrat më të mira nga Grupi III do të përparojnë në Grupin II.

Siç dihet Kosova debutoi në arenën ndërkombëtare me pjesëmarrjen në “Davis Cup”, që është i kategorisë së njëjtë me “FED Cup”, veçse për meshkuj. Aty kosovarët i humbën të gjitha meçet, por edhe të gjithë setet.

Turneu “FED Cup” është i përkrahur nga Banka e njohur “BNP Paribas”, si dhe një sërë sponsorësh tjerë. Ky turne organizohet nën patronatin e Federatës së Tenisit të Malit të Zi, si dhe klubit të tenisit “Bellevue” në Ulqin.