Kosova ndalon me ligj shkuarjen në konfliktet e huaja

Kuvendi i Kosovës me shumë vërejtje ka miratuar në parim projektligjin me të cilin ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit.

Lajme

14/03/2014 11:51

Kuvendi i Kosovës, me shumë vërejtje ka miratuar në parim projektligjin me të cilin ua ndalon qytetarëve të Kosovës të marrin pjesë në konfliktet e armatosura jashtë territorit të vendit.

Nxjerrja e këtij ligji është thënë se erdhi si nevojë e sanksionimit të pjesëmarrjes së qytetarëve të Kosovës në konfliktet jashtë territorit, pas rasteve të evidentuara tashmë të pjesëmarrjes së dhjetëra personave në luftën e Sirisë.

Votimi ka sjellë si rezultat 48 vota për, 10 kundër dhe 4 abstenime.

Sponsoruesi i ligjit, ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi ka thënë se nxjerrja e tij ka qenë një domosdoshmëri, pasi që me rritjen e numrit të personave që po shkojnë në konfliktin e Sirisë po kërcënohet siguria e brendshme e Kosovës.

Në veçanti, ai ka thënë se personat që shkojnë në konflikte të tilla, kur kthehen paraqesin kërcënim për rendin dhe sigurinë e brendshme të Kosovës.

Andaj, ligji i propozuar, sipas tij, ka për qëllim të parandalojë por edhe mbrojë Kosovën nga veprimet kriminale e terroriste që paraqesin kërcënim për interesin dhe sigurinë e Kosovës.

Në debatin parlamentar u tha më pas se ligji është shumë i gjeneralizuar dhe nuk është konkret për problemin që i dedikohet e që ka të bëjë me ndalimin e shkuarjes dhe pjesëmarrjes në luftën e Sirisë.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Visar Ymeri ka vendosur disa hipoteza, duke thënë se nis rast të ndonjë lufte në rajon, atëherë, popullata shumicë e Kosovës, në bazë të këtij ligji nuk do të mund të ndihmonin bashkëkombësit e tyre.

Në vend të këtij ligji të propozuar nga qeveria, Ymeri ka kërkuar që të miratohet ligji kundër terrorizmit.

Me vërejtje ndaj ligjit që ndalon pjesëmarrjen në konfliktet jashtë Kosovës është paraqitur edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, ndonëse e ka përkrahur në parim ligjin e propozuar.

Deputeti i LDK-së, Anton Çuni ka thënë se ligji duhet të jetë më konkret pasi që ka shumë gjeneralizime.

Në këtë projektligj përcaktohen si vepra penale të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Dispozitat e këtij ligji, parashihet të zbatohen ndaj çdo personi, i cili merr pjesë apo organizon, rekruton, financon, nxit, udhëheq apo trajnon personat ose grupe të personave me qëllim të bashkimit apo pjesëmarrjes në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individuale, në çfarëdo forme të konflikteve të armatosura jashtë territorit të Republikës së Kosovës.

Kurse, dënimet për shkeljen e këtij ligji, varësisht se për cilën dispozitë bëhet fjalë, parashihen nga 3 deri në 15 vjet burg.

Sidoqoftë, projektligji i miratuar në parim, mund të pësojë ndryshime ngaqë ai tani i nënshtrohet rishikimit nëpër komisionet parlamentare dhe më pas me propozim për plotësime i kthehet Kuvendit për miratimin final.

(Evropa e Lirë)