Kosova mund t’i ketë humbur 170 milionë euro nga Bechtel-Enka

Ministri i i Infrastrukturës, Pal Lekaj ka thënë se qeveria e kaluar është sjellë në mënyrë të pa përgjegjshme ndaj kontraktorit aktual të projektit të autostradës.

Lajme

05/07/2018 21:46

“Jam përballë që nga dita e parë me kontratën e Bechtel-Enka. Është dashur ose të ndërpres atë kontratë, ose të ballafaqohemi me vendim jo të pranueshëm”, ka thënë Lekaj në “Debat Plus”  në RTV Dukagjini.

Ministri thotë se me këtë pagesë është bërë zgjidhja më e mirë pasi edhe kostoja do ishte rritur, edhe rruga do mbetej pa u ndërtuar.

“Nëse nuk do të ishte bërë zgjatja e kontratës, sot punimet do të ishin ndërprerë, dhe rruga do të ishte në mëshirë të fatit. Shuma e kostos do të ishte trefishuar”, tha ai.

Dëmshpërblimi ndaj kompanisë mundë të kishte shkuar deri në 170 milion euro, por sipas ministrit Lekaj, negocimi e ka ulur këtë shumë.

“Sipas informacioneve që kam, po të kishte kërkuar Bechtel-i kompensim për të gjithë dëmin për mos përmbushje të kritereve, shuma fillestare do të kishte shkuar 170 milion euro, por pas negocimit shumë është ulur në 43 milion euro plus 18% taksat”.

Lekaj thotë se e njëjta situatë do të ishte edhe sikur kompania të mos i kryente punimet me kohë, nëse qeveria i kishte kryer obligimet e veta.

“Nëse Bechtel nuk do t’i kishte përfunduar punimet deri më 18 janar, të njëjtin dëmshpërblim do të kishim kërkuar edhe ne nga kjo kompani”, ka deklaruar Lekaj duke thënë se dëmshpërblimi shkon prej 40 mijë euro në ditë.

Ai tha se qeveria e kaluar, nuk është dashtë të hap 157 projekte tjera pa u kryer obligimet ndaj kompanisë Bechtel-Enka.

“Qeveria e Kosovës nuk është dashtë të hap 157 projekte tjera, dhe të injorohet ky projekt dhe të mos zbatohet ai”, ka thënë ndër të tjera ministri Pal Lekaj.