Kosova mëson kundërshtarët për kualifikimet U17 dhe U19 për vajza

Sot në selinë e UEFA-s në Nion është bërë tërheqja e shortit për kualifikimet e grupmoshave nën 17 dhe nën 19 vjeç në konkurrencën e vajzave. Kombëtarja e Kosovës U17, e cila arriti të promovohet në Ligën A të kualifikimeve për Euro 2023 si skuadra me bilancin më të mirë nga pozita e dytë, do…

Sport

07/12/2022 13:35

Sot në selinë e UEFA-s në Nion është bërë tërheqja e shortit për kualifikimet e grupmoshave nën 17 dhe nën 19 vjeç në konkurrencën e vajzave.

Kombëtarja e Kosovës U17, e cila arriti të promovohet në Ligën A të kualifikimeve për Euro 2023 si skuadra me bilancin më të mirë nga pozita e dytë, do të bëjë pjesë në Grupin 5, ku janë të përfshira edhe Republika e Irlandës, Franca dhe Italia. Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen në Francë, më 23, 26 dhe 29 mars, 2023. Liga A përbëhet nga 28 ekipe.

Shtatë fituesit eventual të grupeve do të kualifikohen në Kampionatin Evropian, i cili mbahet në Estoni. Skuadrat që përfundojnë në vendin e katërt në grupe do të bien në Ligën B për raundin e parë kualifikues të edicionit 2023/24.

Ndërkohë, Kombëtarja U19 do të marrë pjesë në kualifikimet e Ligës B për Euro 2023, ku është përfshirë në Grupin 3, së bashku me Irlandën e Veriut, Qipron dhe Letoninë. Ndeshjet e këtij grupi do të zhvillohen më 4, 7 dhe 10 prill, 2023 në Irlandën e Veriut.

Fituesit e secilit grup dhe skuadra me bilancin më të mirë nga pozitat e dyta, do të promovohen në Ligën A për t’i vazhduar më pas kualifikimet drejt Evropianit 2023. /Lajmi.net/