Kosova merr mbështetje nga Turqia

Turqia i ka premtuar mbështetje Kosovës në fushën e sportit. Krerët e Federatës së Futbollit të Kosovës e patën një takim me ambasadoren e Turqisë, Songul Ozan, ku u fol për thellimin e bashkëpunimit.

Sport

08/05/2014 16:45

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fadil Vokrri, e priti të enjten në zyrën e tij ambasadoren e Republikës së Turqisë znj. Songul Ozan, e cila po shoqërohej nga kryetari i Odës Ekonomike turke në Kosovës si dhe përfaqësueses të Kopanisë “Limak-Çalik”.

Duke i uruar mirëseardhje zonjës Ozan, kryetari Vokrri e shprehu falënderimin e tij për shtetin e Turqisë dhe të Federatës së Futbollit të Turqisë për përkrahjen e pa rezervë për Kosovën dhe futbollin e Kosovës.

“Pas një kohë të gjatë po bëhet realitet ëndrra e shumë futbolldashësve të Kosovës që të zhvillohet një ndeshje ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Turqisë”, është shprehur kryetari Vokrri.

Ai premtoi një bashkëpunim edhe më të thellë në të gjitha fushat e sidomos në mbështetjen e Federatës turke për FFK-në drejt arritjes së synimeve për t’u bërë pjesë e mekanizmave ndërkombëtarë.

Nga ana e saj, ambasadorja e Turqisë e ka falënderuar kryetarin Vokrri për mikpritje tepër miqësore.

“Unë e di që Federata e Futbollit e Kosovës ka një bashkëpunim të mirë me Federatën e Turqisë dhe ndeshja që do të zhvillohet më 21 maj, do të shënojë një simbol të ri të marrëdhënieve jo vetëm ndërmjet dy federatave, por edhe të vet shtetit turk dhe Kosovës”.

“Jam e bindur se ky bashkëpunim vëllazëror do të vijë e të shtohet çdo ditë e më shumë. Ju premtoj se FF e Turqisë gjithmonë do të jetë një krah i fortë i FFK-së në të gjitha fushat ku kërkohet ndihma”, ka përfunduar ajo.