Kosova merr “hazër” përkthimin e legjislacionit të BE-së nga Shqipëria

Ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku ka zhvilluar sot një takim me Ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë, Erion Veliaj, me të cilin biseduan për avancimin e bashkëpunimit në kuadër të integrimit evropian si dhe bashkërendimin e punëve në kontekst të mbledhjes së dytë të përbashkët të qeverisë së Kosovës dhe Shqipërisë.

Lajme

06/03/2015 16:46

Përmes një njoftimi të Ministrisë së Integrimeve, është bërë e ditur se ministri Çollaku është shprehur mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Shqipërisë për Kosovën në procesin e Integrimit Evropian.

“Fryt konkret i kësaj përkrahje dhe bashkëpunimit të mirë është puna e përbashkët në përkthimin e legjislacionit të BE-së. Kosova ka pranuar deri tani 1,500 faqe të përkthyera nga Qeveria e Shqipërisë”, thuhet në këtë njoftim.

Ministri Çollaku përsëriti se Kosova është e gatshme të nënshkruaj MSA-në dhe t’i përmbushë në këtë vit të gjitha obligimet në kuadër të udhërrëfyesit për liberalizim të vizave.

Në anën tjetër Ministri Veliaj, konfirmoi përkrahjen e Qeverisë Shqiptare për Kosovën, me theks të veçan në forcimin e forumeve të reja për koordinim më të mirë të angazhimeve të përbashkëta dhe rritjen e shkëmbimit.