Kosova me Pallat Olimpik, brenda dy vitesh (Video)

Kosova do të bëhet me Pallat Olimpik më së largu deri më 23 qershor të vitit 2016. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka hapur sot konkursin e ndërtimeve konkurruese për ndërtimin e pallatit olimpik. Ministri Memli Krasniqi e quajti këtë projekt si ‘shtëpi e munguar’ deri më tani.

Lajme

23/06/2014 13:32

Nëse jo më 23 qershor të vitit 2015, Kosova do të bëhet me Pallat Olimpik më së largu deri në datën e njëjtë të vitit 2016.

Kështu ka thënë ministri në detyrë i sportit, Memli Krasniqi, i cili e ka vlerësuar Pallatin Olimpik që do të ndërtohet si një shtëpi për të gjitha federatat sportive, komitetin olimpik dhe paraolimpik.

Krasniqi tha të hënën se puna për këtë pallat do të nisë nga javët e ardhshme gjersa ka njoftuar se vlerësimet për të zgjedhur projektin më të mirë nga dhjetëra projekte, do ta vendosë juria profesionale me 80% të vlerësimit final dhe vota e qytetarëve me 20%.

“Qysh nga sot e deri të premten në ora 16:00 të gjithë qytetarët, para se gjithash sportistët dhe sportdashësit do të kenë mundësi të vijnë në Muzeun e Kosovës, t’i shohin projektet, t’i vlerësojnë dhe të marrin pjesë me votën e tyre në vlerësimet finale”.

“20 % e vlerësimit final do të jetë pikërisht vota e publikut ndërsa 80% do t’i mbetet jurisë profesionale e cila përbëhet nga përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, komitetit Olipmik të Kosovës, shoqata e gazetarëve sportiv e kështu me radhë”.

“Shpresa ime është që, nëse jo vitin e ardhshëm (me 23 qershor), atëherë më së largu me 23 qershor të vitit 2016 ta përurojmë pallatin Olimpik, i cili nuk është pallat në kuptimin glamuroz të fjalës por është pallat për nga rëndësia që e ka, sepse do të jetë shtëpia e sportit të Kosovës, do të jetë adresa e sportit tonë”, tha Krasniqi.

Ndërkaq, edhe kryetari i Komiteti Olimpik të Kosovës, Besim Hasani e quajti ditën e sotshme si ditë të veçantë që po kurorëzohet me një objekt që u mundëson sportistëve kryerjen e aktiviteteve të tyre

“Është një ditë e veçantë. Është dita olimpike ndërkombëtare dhe, nuk e besoj se mundet më mirë për sportistët e drejtuesit e sportit, të kurorëzohet kjo ditë për herë të parë me një mundësi që edhe sportistët, respektivisht drejtuesit e sportit, për kryerjen e aktiviteteve të tyre.

“Është një objekt i cili na ka munguar, dhe tash, edhe kjo po realizohet”, tha Hasani. (lajmi.net)