Kosova me miqësore edhe në hendboll

Pas futbollit, Kosova do të ketë të drejtë të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare edhe në hendboll. Lajmi i mirë erdhi nga Komiteti Ekzekutiv i Federatës evropiane të hendbollit, (EHF). Kurse, për pranim me të drejta të plota do të vendoset në shtator.

Sport

25/01/2014 13:09

Komiteti Ekzekutiv i Federatës evropiane të hendbollit (EHF) i ka dhënë leje Federatës së Kosovës në Hendboll (FHK) të zhvillojë ndeshje miqësore ndërkombëtare.

Vendimi u mor nga Komiteti Ekzekutiv në takimin e tij gjatë Kampionatit evropian për meshkuj në Danimarkë.

Për më tepër, skuadrat përfaqësuese të Kosovës mund të marrin pjesë në European Open 2014 për femra në grupmoshën U-18 si dhe European Open 2019 për meshkuj në grupmoshën U-19.

Çështja e pranimit të Kosovës me të drejta të plota në EHF do të diskutohet në Kongresin e EHF’s në Dublin, Irlandë, në shtator 2014.

Ky është një tjetër lajm i mirë pas atij që erdhi nga FIFA më herët gjatë këtij muaji që i lejoi Kosovës të luajë ndeshje miqësore ndërkombëtar në futboll.