Kosova mban stërvitjen e fundit para ndeshjes me Zvicrën

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes së së martës kundër Zvicrës, e cila do të luhet nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës. “Kjo ndeshje është e fundit në Grupin B të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Pas fitores 2:0 ndaj Sllovenisë…

Sport

17/11/2025 19:55

Kombëtarja e Kosovës ka zhvilluar sot stërvitjen e fundit në prag të ndeshjes së së martës kundër Zvicrës, e cila do të luhet nga ora 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, ka njoftuar Federata e Futbollit e Kosovës.

“Kjo ndeshje është e fundit në Grupin B të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026. Pas fitores 2:0 ndaj Sllovenisë në Lubjanë, “Dardanët” kanë siguruar tashmë vendin e dytë në grup dhe biletën për ‘play-off’. Megjithatë, në teori ekziston ende mundësia për një kualifikim të drejtpërdrejtë, por vetëm nëse Kosova arrin një fitore të thellë 6:0 ndaj Zvicrës, një skenar që konsiderohet thuajse i pamundur. Në stërvitjen e sotme, përzgjedhësi Franco Foda ka pasur në dispozicion të gjithë futbollistët. Trajneri ka punuar kryesisht në detaje taktike, duke përgatitur ekipin për një ndeshje ku pritet angazhim maksimal, pavarësisht se objektivi kryesor tashmë është arritur”, ka shkruar FFK.

Të hënën kanë folur për ndeshjen të dy trajnerët e kombëtareve.

Foda ka thënë se fokusi kryesor i ekipit është paraqitja dinjitoze ndaj Zvicrës, për të dëshmuar se humbja 4:0 në Bazel, nuk ka qenë ftyra e vërtetë e Kosovës. E trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka thënë se për ndeshjen kundër Kosovës emocionet janë lënë pas dhe se skuadra e tij synon të imponojë lojën nga minuta e parë.