Kosova kthen sytë kah beteja Trump-Biden, VV e vetmja parti që merr anë

Zgjedhjet e tre nëntorit në Shtetet e Bashkuara po ndiqen me interesim edhe në Kosovë, ku roli i Amerikës vlerësohet i pazëvendësueshëm për zhvillimet e deritashme por edhe për të ardhmen e saj.

Lajme

24/10/2020 19:39

Ish presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, në një bisedë për Zërin e Amerikës thotë se vendi po e ndjek këtë proces të zgjedhjeve me një shkallë më të lartë të interesimit, meqë Kosova synon që të vazhdojë dhe fuqizojë aleancën dhe partneritetin me Shtetet e Bashkuara.

“Dhe po ashtu procesi i zgjedhjeve në Amerikë ndiqet me një interesim pak më të madh edhe për shkak të politikës së jashtme e cila buron nga një administratë e dalë nga zgjedhjet. Ndërsa në anën tjetër kur i shohim këto fuqitë e mëdha si Kina dhe Rusia të cilat janë në ngritje e sipër përmes ndikimit të tyre ekonomik dhe politik por edhe qasjes destruktive ndaj vendeve tjera dhe tendenca arrogante që kanë ndaj atyre demokracive të brishta, gjithnjë e më shumë po vije në sipërfaqe nevoja dhe domosdoshmëria që të kemi një Amerikë më të fuqishme, që të kemi një Amerikë më të bashkuar që bashkëpunon me të tjerët në mënyrë që të promovojë ato vlera demokratike dhe që të çrrënjosë popullizmin dhe autoritarizmin”, thotë ajo.

Presidentja Jahjaga thotë se është me rëndësi që Kosova dhe Ballkani Perëndimor të jenë në kuadër të agjendës së politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara.

“Partneriteti ynë me SHBA-të është imperativ në mënyrë që nëse neve duam të kemi zhvillim ekonomik, në qoftë nëse ne duam zhvillim politik, në qoftë se neve dëshirojmë të kemi agjendë të qartë të integrimeve euro-atlantike, të thënë të drejtën kjo asnjëherë nuk ka pasur alternativë tjetër për ne dhe nuk duhet të ketë alternativë tjetër”, tha presidentja Jahjaga.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, njëherësh deputet në parlamentin e vendit thotë se roli i Shteteve të Bashkuara është thelbësor jo vetëm për Kosovën por edhe tërë rajonin.

“Unë mendoj që Shtetet e Bashkuara të Amerikës në raport me Kosovën prej viteve 90-ta kur Kosova është paraqitur si çështje, prej rezistencës sonë civile, prej luftës së UÇK-së e deri në ditët e sotme ka pasur një politikë në raport me Kosovën dhe ka pas një qasje mbi partizane të përbashkët të dy partive qoftë demokratë qoftë republikanë në lirinë, në shtetformimin dhe në shtetndërtimin e Kosovës deri më sot. Dhe meqë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë pasur një politikë dhe një qasje të përbashkët në raport me Kosovën mendoj se për Kosovën është politikisht e drejtë, në rrafshin strategjik shumë e domosdoshme që ne ashtu ta shohim Amerikën nga Prishtina”, thotë zoti Hoxhaj.

Kryetarja e Alternativës, që është pjesë e grupit parlamentar të lëvizjes Vetëvendosje në parlamentin e Kosovës, Mimoza Kusari Lila, thotë se Kosova historikisht është dhe do të mbetet e lidhur me Shtetet e Bashkuara të cilat sipas saj përcaktuan të ardhmen pozitive të Kosovës.

“Kësaj radhe është një specifikë ndryshe sepse kësaj radhe për katër vite në Shtëpinë e Bardhë ishte një president jo tradicional, jo sipas asaj që ne dhe gjithë bota ishim mësuar ta shohim prandaj edhe rezultati i zgjedhjeve presidenciale në Amerikë dhe e ardhmja e atyre zgjedhjeve do të përcaktohet me atë se si do të votojnë amerikanët me 3 nëntor por edhe me atë se çfarë reflektimi do të ketë në njërën anë e cila tashmë konsiderohet mjaft dramatike edhe në Kosovë për fatin se kemi të angazhuar të deleguarin e presidentit Trump në dialogun Kosovë-Serbi”, tha zonja Kusari Lila.

Naim Rashiti, që drejton Grupin Ballkanik për hartimin e politikave thotë se zgjedhjet në Shtetet e Bashkuara janë temë globale dhe përcaktojnë peshën e dinamikave e zhvillimeve për katër vitet e ardhshme.

“Është një proverb ku thuhet se “nëse demokracia bie në Spanjë do të humb vetëm Spanja por nëse demokracia bie në SHBA vdes në tërë botën”, kështu që sytë janë nga të gjithë, globi është me sy dhe përqendrim nga zgjedhjet e 3 nëntorit e në veçanti Evropa, ku gjatë presidentit Trump nuk ka pasur edhe aq marrëdhënie të mira me SHBA-në. Kështu që gara do të jetë shumë e ashpër mes një politike jokonvencionale, politikë/biznes çfarë presidenti Trump e ka sjellë dhe një vazhdimësi e politikës tradicionale apo tentativë për ta ruajtur politikën tradicionale”, thotë zoti Rashiti.

Kosova vazhdon të mbetët në mesin e vendeve që llogaritë në mbështetjen dy partiake në Shtetet e Bashkuara. Në zgjedhjet e vitit 2016, presidenti aktual i Kosovës, Hashim Thaçi kishte deklaruar mbështetje për kandidaten demokrate Hillary Clinton, e cila humbi ato zgjedhje nga presidenti aktual amerikan, Donald Trump. Kjo kishte ngjallur pastaj reagime në Kosovë.

Në zgjedhjet amerikane të këtij viti, kryetari i lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti përmes një videomesazhi u bëri thirrje shqiptarëve të Amerikës që të mbështesin kandidatin Joe Biden me arsyetimin se, siç tha, ai është mik i shqiptarëve dhe do të ketë ndikim pozitiv në të dy anët e Atlantikut. Kjo është edhe thirrja e vetme e hapur e një politikani në Kosovë për të votuar një kandidat presidencial amerikan.

Zonja Kusari Lila thotë se politika amerikane ka qenë mbi partizane për Kosovën gjithmonë, por sipas saj tashmë është pak më ndryshe për faktin se siç thotë ajo, politika e presidentit Trump është më e paparashikueshme.

“Dhe tash ajo çka shihet normal se ka një paqartësi se cila do të jetë e ardhmja e raporteve në kuptimin se kush do të jetë president, do të thotë nëse kemi presidentin Trump kemi vazhdimësinë e një procesi veç se ka fillu me katër shtator në Shtëpinë e Bardhë përderisa nëse është presidenti Biden tashmë kampi i tij u deklarua se do të ketë pak më tepër balancim në kuptimin pozitiv për Kosovën në të ardhmen e procesit Kosovë-Serbi”, tha zonja Kusari Lila.

Enver Hoxhaj thotë ndërkaq se është e gabuar që dikush në Kosovë të marrë anë në favor të njërit apo tjetrit kandidat.

“Do të ishte e pa imagjinuar mbështetja e Kosovës pa atë paralajmërimin e famshëm të George Bushit të Krishtlindjes që nëse (Slobodan) Millosheviçi ndërhynë ushtarakisht në Kosovë do të ndërhynë edhe Amerika ushtarakisht në raport me Serbinë, apo mbështetja e Bill Clintonit për lirinë e Kosovës apo mbështetja e madhe e George Bushit të ri, e Condoleezza Rice, cila nganjëherë në Kosovë nuk e ka vlerësimin e drejtë sepse unë vet kam qenë pjesë e negociatave në Vjenë apo edhe mbështetjes që kemi pasur prej presidentit (Barack) Obama sikurse edhe qasjen e drejtë dhe të duhur të presidentit Trump. Parametër matës këtu është ajo letra e famshme e presidentit Trump drejtuar presidentit Thaçi dhe Vuçiç në dhjetor të 2018, që rezultati i dialogut duhet të jetë njohja e ndërsjellë. Evropianët ende nuk e kanë thënë, amerikanët ishin super të qartë, sikurse edhe marrëveshja e fundit e cila erdhi si rezultat i angazhimit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha zoti Hoxhaj.

Të dy kandidatët presidencial amerikanë kanë lënë gjurmë në proceset e Kosovës.

Një rrugë që lidh komunën e Gjilanit me Ferizajn afër kampit amerikan “Bondsteel” mban emrin e djalit të ndjerë të zotit Biden në shenjë respekti për punën e tij në Kosovë. Ndërkaq emri i presidentit Donald Trump është propozuar t’i vihet liqenit të Ujmanit në veri të Kosovës, në shenjë respekti për mundësinë e arritjes së dakordimit më katër shtator në Shtëpinë e Bardhë për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike ndërmjet Kosovë dhe Serbisë.

Analisti Naim Rashiti thotë se të dy kandidatët amerikanë kanë qasje të ndryshme për mënyrën e zgjidhjes së sfidave në rajon.

“Nëse fiton presidenti Trump, ai me siguri do të vazhdoj me tempin e tij çfarë e ka, ndoshta në një mënyrë edhe pak më agresive të cilën do të shohim po ashtu së shpejti që do të bie rrugës Beograd-liqeni i Ujmanit dhe Prishtinë për ta mbyllur këtë çështje dhe një elite tjetër e cila do t’i kthehet me vrap marrëdhënieve trans-atlantike, rikuperimit të marrëdhënieve trans-atlantike të cilat jo domosdoshmërisht janë dëmtuar vetëm nga njëra palë SHBA-të, ka pas dhe ka defekte edhe në Evropë në këtë marrëdhënie”, thotë zoti Rashitaj.

Busti i senatorit Bob Dole, shtatorja e presidentit Bill Clinton dhe një bulevard me emrin e tij, rruga që mban emrin e presidentit George Bush, busti i ish sekretares së Shtetit, Madeline Albright janë disa nga shenjat që shfaqin mirënjohjen e qytetarëve të Kosovës për rolin e Shteteve të Bashkuara që në Kosovë cilësohet i pazëvendësueshëm për lirinë dhe pavarësinë por edhe të ardhmen e saj.

“Me këto veprimet e fundit në raport me rajonin është e dëshmuar edhe njëherë që Kosova dhe Ballkani Perëndimor janë në agjendën e pritoriteteve të politikës së jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe se ka dëshmuar që stabiliteti në rajon është i domosdoshëm dhe i nevojshëm si proces që do të hapë rrugë më tutje zhvillimit demokratik, ndërtimit të raporteve të fqinjësisë së mirë dhe zhvillimit ekonomik dhe ne kemi pasur këtë partneritet dhe presim një partneritet më të fuqishëm pa marrë parasysh se cili kandidat do të fitojë në zgjedhjet presidenciale”, thotë ish presidentja Jahjaga.