Kosova krijon marrëdhënie diplomatike me Libinë

Kosova dhe Libia kanë nënshkruar marrëveshjen për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në mes të dy vendeve. 

Lajme

14/05/2014 20:19

Kjo marrëveshje u bë sot në New York, në mes të ambasadorit të përgjithshëm atje, Bekim Sejdiu si dhe përfaqësuesi i përhershëm i Libisë në Kombet e Bashkuara ambasadori Ibrahim Debbashi, thuhet në një komunikatë të Ministrisë së Jashtme të Kosovës.

“Ceremonia e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike u zhvillua në Misionin e Përhershëm të Libisë në Kombet e Bashkuara”, thuhet në këtë komunikatë.

“Komunikata e Përbashkët për nënshkrimin e marrëdhënieve diplomatike, e nënshkruar ndërmjet dy ambasadorëve, thekson vullnetin e Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Libisë për të promovuar miqësinë dhe bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, në frymën e parimeve të OKB-së dhe të drejtës ndërkombëtare”.

Libia e ka njohur Kosovën, shtet sovran dhe të pavarur më 25 shtator 2013.