Kosova, kombëtarja që fitoi më së shumti pikë nga FIFA për ndeshjet e qershorit

Kosova është ngritur për gjashtë pozita, nga vendi i 127-të në atë të 121-të, në ranglistën e FIFA-s, e cila u përditësua sot, pas rezultateve të ndeshjeve të qershorit. Kjo është pozita më e lartë në të cilën është renditur ndonjëherë Kosova.

Sport

14/06/2019 10:31

‘Dardanët’ kanë arritur të fitojnë gjashtë pozita të reja në renditjen e FIFA-s, duke u renditur në vendin e 121-të.

Kosova në muajin qershor zhvilloi dy ndeshje kualifikuese për Kampionatin Evropian, ku barazoi 1:1 me Malin e Zi në udhëtim, ndërsa fitoi 2:3 në Sofje kundër Bullgarisë.

Ekipi i drejtuar nga Bernard Challandes lëvizjen për gjashtë pozita e ka bërë falë 25 pikëve të reja të fituar nga FIFA.

Sipas FIFA-s, Kosova është kombëtarja që ka fituar më së shumti pikë nga ndeshjet e qershorit, 25 gjithsejtë. /Lajmi.net/