Kosova ka nevojë për tjetër Qeveri

Kryetari i Lëvizjes vetëvendosje, Albin Kurti, tha se Kosovës i duhet një qeveri tjetër e cila, sipas tij, do ta kishte synim kryesor ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik. Sipas tij, partia e re e Limaj e Krasniqit, e tkurrë PDK'në.

Lajme

01/03/2014 17:51

Albin Kurti vazhdon me kritikat e tij ndaj qeverisë dhe pjesës tjetër të opozitës në Kosovë.

Në një intervistë për Top Channel, Kryetari i Lëvizjes vetëvendosje është shprehur se Kosovës i duhet një qeveri tjetër e cila, sipas tij, do ta kishte synim kryesor ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin ekonomik.

Sipas tij, Isa Mustafa i LDK’së, në vitin 2011, ka bërë marrëveshje për të mos e rrëzuar Qeverinë e Kryeministrit Hashim Thaçi.

“Zgjedhjet e parakohshme do të duhej të mbaheshin që dje. Kosova ka nevojë për një qeveri tjetër. Një Qeveri, e cila do të kishte synimin kryesor shtetndërtimin dhe zhvillimin ekonomik dhe jo shtet të konsumatorëve por, një shtet të prodhuesve, i cili nuk do e vendoste Kosovën në pazare me Serbinë, por do të niste bisedimet në Tiranën për bashkimin kombëtar”, ka thënë Kurti.

Në një intervistë për Top Channel lideri i Vetëvendosjes  Albin Kurti thotë se zbatimi i marrëveshjeve të arritura në Bruksel do të destabilizojnë vendin.

“Duke qenë që kryetari i LDK’së Mustafa po mundohet që më marrëveshje të rrëzoi Qeverinë Thaçi këtu bëhet fjale për marrëveshje për parrëzim. Kjo për shkak se nuk mund të ketë rrëzim të qeverisë me marrëveshje”.

“Vetëvendosje që në dhjetor të vitit 2010 ka nisur mocionin për rrëzim të qeverisë, i cili nuk ka hasur në mirëkuptim të partive të tjera opozitare që formalisht janë në opozitë. Dhe tani kur ndodhemi në vitin e fundit të kësaj Qeverie them se sa më pak që kjo Qeveri të jetë në pushtet aq më shumë rriten mundësitë që për shtet dhe ndryshime në aspektin socio-ekonomik”, u shpreh Kurti.

Problemet madhore, sipas Kurtit, janë gjymtimi i shtetit si territor dhe funksionim i insitucioneve pas marrëveshjeve me Serbinë.  Ai thotë se Serbia ka arritur që në shekullin 21 të realizojë “Serbinë e madhe”  nëpërmjet “një mori Serbishë të vogla” nga Bosnja, Kosova e deri në Maqedoni, Mal të Zi. Problemi i dytë dhe kapital për këtë Qeveri është modeli i gabueshëm ekonomik.

“Ne i druhemi destabilizimit të Kosovës në rast se zbatohen marrëveshjet. Pra Kosovën do e destabilizojnë zbatimi i këtyre marrëveshjeve dhe Kosovën do e stabilizojë vetëm pengimi i zbatimit të tyre të cilat bosnizojnë Kosovën dhe në të njëjtën kohë ne mendojmë që në mandatin e ardhshëm shpresojmë që të kemi një përbërje krejt të re në mënyrë që t’i hedhim poshtë këto pazare personale të Thaçit me Daçiç”, u shpreh Kurti për Top Channel.

Problemet me korrupsionin dhe veprimet e pandërgjegjshme të kësaj Qeverie, sipas Kurtit, nxjerrin në pah nevojën urgjente të një Republike të Tretë.

Ndërsa formimin e partisë së re të Fatmir Limajt dhe Jakup Kransiqit Kurti e cilësoi si “një tkurrje e PDK’së”.