Kosova ka nevojë për një demokraci të re
Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka deklaruar se e gjithë kjo që po ndodhë në spektrin politik të Kosovës është shprehje e demokracisë së brishtë dhe e nevojës për ndërtimin e një demokracie të re.

Lajme
Mustafa në një postim të tijin në Facebook ka thënë se nuk ka iluzione se institucionet e ndërtuara deri më tani janë të pavarura, porse duhet bërë përpjekje që këto institucione të pavarësohen, sepse sipas tij, kapja e shtetit cenon vetëm zhvillimin demokratik të vendit dhe arrin deri te cenimi i të drejtave elementare të individit
Lexojeni postimin e plotë të Mustafës në Facebook:
Miq të nderuar,
E gjithë kjo që po ndodhë në spektrin politik të Kosovës është shprehje e demokracisë së brishtë dhe e nevojës për ndërtimin e një demokracie të re. Nuk kemi iluzione se institucionet, të cilat i kemi ndërtuar deri më tani janë të pavarura dhe se pavarësisht e interpretojnë Kushtetutën dhe ligjin. Por ne të gjithë duhet të bëjmë përpjekje që këto institucione të pavarësohen, sepse kapja e shtetit nuk cenon vetëm zhvillimin demokratik të vendit por ajo arrin deri te cenimi i të drejtave elementare të individit.
Për herë të parë po organizohemi në mënyrë demokratike për të ofruar opsionin e shpëtimit të shtetit nga kapja e tij. Mekanizëm i këtij organizimi është vota e fituar nga qytetarët dhe veprimi demokratik brenda institucioneve. Në demokraci, çdo votë është e barabartë, pa marrë parasysh se përmes cilit subjekt kanë garuar deputetët.
Askush nuk e mohon se një parti , përkatësisht koalicion, ka dalë e para në zgjedhje. Dhe jam i bindur se gjithë ne do ta përkrahnim që partia që del e para të formojë institucionet, nëse do të arrinte ta bëjë shumicën në Kuvend, si rregull i demokracisë, pa marrë parasysh se a na pëlqen apo jo. Por rrethanat e krijuara po dëshmojnë se partia që doli e para ka vetëm përkrahjen e 30% të votuesve, ndërsa deputetët që kanë 70% të votave nuk e përkrahin. Kjo flet se rruga jonë është e drejtë. Në demokraci, gjithmonë është e drejtë rruga e atyre që arrijnë të kenë përkrahjen e shumicës. Këtë të drejtë ne do ta konfirmojmë në sallën e Kuvendit të Republikës së Kosovës me votën dhe vullnetin jodetyrues të deputetëve, ashtu si ua garanton Kushtetuta.