Kosova ka imazhin e një vendi stabil

Ministri Enver Hoxhaj thotë se Kosova për 6 vjet ka shënuar progres të gjithanshëm. Sipas tij, vendi është një storie suksesi sa i përket ndërtimit të institucioneve demokratike, efikase dhe multietnike dhe stabilitetit të brendshëm politik e ekonomik.

Lajme

15/02/2014 07:45

Ministri i Punëve të Jashtme (MPJ), Enver Hoxhaj, ka vlerësuar se Republika e Kosovës që nga shpallja e pavarësisë më 17 shkurt 2008 ka arritur të konsolidohet fuqishëm, sidomos në arenën ndërkombëtare.

Në një intervistë për ‘Epoka e re’, Hoxhaj ka thënë se qytetarët e Kosovës duhet të ndihen krenarë me shtetin më të ri në Evropë.

“Qytetarët e Kosovës në përvjetorin e gjashtë duhet të ndihen krenarë me arritjet që ka shënuar Kosova në arenën ndërkombëtare”.

Në këtë kontekst Hoxhaj ka thënë se gjatë këtyre viteve është përmirësuar imazhi i Kosovës në botë.

“Kosova ka një imazh të një vendi stabil, të një vendi i cili nuk është goditur nga kriza financiare. Kosova ka një imazh të një vendi i cili ka integruar të gjitha komunitetet në të gjitha nivelet e pushtetit”, ka thënë ai duke shtuar se shteti i Kosovës është një storie e suksesit.

Ministri Hoxhaj ka folur edhe për procesin e njohjeve të reja. Ai ka thënë se ky proces ka qenë i pandalshëm dhe global. Hoxhaj ka paralajmëruar se deri në qershor Kosovën do ta njohin së paku edhe pesë shtete të reja.

“Këto janë vende që vijnë nga Afrika, Amerika Latine, Azia dhe Oqeania. Gjithsesi këto vende kanë një pesë të madhe dhe janë vende goxha të rëndësishme”, duke ritheksuar se synimi i Qeverisë mbetet anëtarësimi i Kosovës në OKB, NATO dhe Bashkim Evropian (BE).