Kosova i jep BE’së verëra pa kuotë

Nëse eksportuesit kosovarë eksportojnë më shumë se dy milionë litra verë në BE brenda vitit atëherë Kosova mund të ketë qasje në kuotën e përbashkët të Ballkanit Perëndimor, që është tre milionë litra.

Lajme

05/12/2013 14:26

Parlamenti Europian dhe Këshilli i Bashkimit Europian kanë marrë vendim për t’i garantuar Kosovës eksportin e dy milionë litrave verë në vit pa tarifë doganore.

Vendimi ka hyrë në fuqi tri ditë pas publikimit më 30 nëntor 2013 në Gazetën Zyrtare të Bashkimit Evropian.

Ky vendim është rezultat i punës së pandërprerë për këtë çështje gjatë dy viteve të fundit të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë dhe bashkëpunimit me institucionet e Bashkimit Evropian.

Kuota e verës funksionon në bazë të parimit “I pari vjen, i pari e merr shërbimin”, që do të thotë se kompanitë eksportuese duhet ta shfrytëzojnë kuotën sa më parë brenda vitit.

BE-ja nuk bën dallim në mes eksportuesve, por kuota prej dy milionë litrash i llogaritet Kosovës.

Kjo është hera e parë që Kosova ka përfituar kuotën e saj individuale për eksport të verërave në BE.

Deri më tani Kosova ka shfrytëzuar kuotën e përbashkët për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, e cila nuk i ka garantuar Kosovës eksport të verërave në BE.

Nëse eksportuesit kosovarë eksportojnë më shumë se dy milionë litra verë në BE brenda vitit atëherë Kosova mund të ketë qasje në kuotën e përbashkët të Ballkanit Perëndimor, që është tre milionë litra.

Vendimi i BE-së për të garantuar kuotën individuale të verërave për Kosovën vjen në një moment kur Kosova është në proces të negocimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në”, njofton Ministria e Tregtisë dhe Industrisë.