Kosova i ankohet BE-së për moszbatim të Marrëveshjes së Brukselit

Qeveria e Kosovës ka prezantuar një raport për prezantimin e procesit të dialogut me Serbinë si dhe zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit

Lajme

14/10/2014 14:18

Ky raport i cili është paraqitur para Bashkimit Evropian tregohet kryesisht për zbatimin e marrëveshjes në periudhën janar – shtator 2014.

Hartuesja e raportit Zëvendëskryeministrja në detyrë, Edita Tahiri, njëherësh udhëheqëse e dialogut të Brukselit për procesin e zbatimit, ka paraqitet vlerësimin e Qeverisë së Kosovës për progresin dhe sfidat e procesit të zbatimit të marrëveshjeve të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore mes Kosovës dhe Serbisë dhe dialogut teknik të lehtësuar nga BE.

Në këtë raport pala kosovare ka akuzuar atë serbe se nuk po bënë asgjë për t’i ndalur tendecat e strukturave të këtij shteti, për të ndërhyrë në punët e brendshme të Kosovës

Në vijim ju lutem gjeni përmbledhjen ekzekutive:

PËRMBLEDHJE EKZEKUTIVE

Ky raport paraqet vlerësimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për progresin dhe sfidat në zbatimin e Marrëveshjeve të Dialogut të Brukselit për periudhën janar-shtator 2014. Raporti shqyrton të gjitha marrëveshjet e Brukselit të arritura në Dialogun për normalizimin e marrëdhënieve dhe Dialogun teknik në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, të lehtësuar nga ana e Bashkimit Evropian dhe të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara.

Në periudhën raportuese, Qeveria e Republikës së Kosovës dhe të gjitha institucionet e tjera ishin plotësisht të përkushtuara në Dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, përkundër faktit se ky ka qenë një vit i zgjedhjeve nacionale për ne. Ne kemi qenë veçanërisht të fokusuar në zbatimin efektiv dhe të qëndrueshëm të të gjitha marrëveshjeve të Brukselit, pasi që ne besojmë se zbatimi është krucial për suksesin e këtij dialogu dhe për progresin për të cilin synon.

Në fakt, në pranverë të këtij viti janë mbajtur zgjedhjet nacionale edhe në Serbi. Si pasojë, agjendat zgjedhore të të dyja vendeve kanë ngadalësuar dinamikën e dialogut, por ne besojmë se një arsye thelbësore për vonesat është më shumë si mungesë e vullnetit politik të Serbisë për të përmbushur obligimet e zbatimit apo madje edhe duke paraqitur pengesa.

Në nivelin politik, të kryeministrave dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, z.Ashton, janë mbajtur vetëm disa takime (në janar, shkurt dhe mars), derisa në nivelin e zbatimit negociatat vazhduan gjatë gjithë periudhës raportuese përveç gjatë periudhave zgjedhore. Kështu, më shumë rezultate janë arritur në procesin e zbatimit se në zgjidhjen e dallimeve të mbetura sa i përket planeve të zbatimit, duke përfshirë çështje të drejtësisë dhe çështje të sigurisë për pjesën e shpërbërjes së të ashtu quajturës “struktura serbe të mbrojtjes civile” dhe në hartimin e planit për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ka pasur përparim të dukshëm në funksionimin ligjor dhe integrimin e katër komunave veriore në institucionet e Kosovës pas zgjedhjeve të suksesshme lokale në nëntor 2013, në përputhje me Ligjet e Kosovës dhe Marrëveshjen e Brukselit. Pas zgjedhjeve, autoritetet e zgjedhura vendore të katër komunave veriore hynë në një proces të qeverisjes ligjore dhe demokratike, të pasuar nga inaugurimi zyrtar dhe miratimi i statuteve komunale, në pajtim me Ligjet e Kosovës siç është paraparë në Marrëveshjen e Brukselit. Ekziston një bashkëpunim në rritje në mes të këtyre autoriteteve lokale dhe të autoriteteve qendrore duke shtyrë përpara agjendën për një jetë më të mirë për qytetarët e Kosovës.

Kemi kënaqësinë të theksojmë se integrimi i qytetarëve tanë serbë nga komunat veriore në jetën institucionale dhe shoqërore të Kosovës është në rrugë të mirë, përderisa Qeveria e Kosovës po vazhdon konsolidimin e sovranitetit, demokracisë, sundimit të ligjit dhe të perspektivës ekonomike në tërë Kosovën për të mirën e të gjithë qytetarëve dhe të gjitha komuniteteve që jetojnë këtu.

Ngjashëm, progres i mirë është bërë në çështjet e sigurisë. Mbyllja e strukturave paralele të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë në pjesën veriore të vendit tonë dhe integrimi i plotë i personelit serb në Policinë e Kosovës, duke përfshirë procesin e gradimit të tyre në bazë të ligjit të Kosovës dhe të Marrëveshjes së Brukselit, ofron cilësi shumë më të mirë të sigurisë për të gjithë.

Përparim është bërë edhe në avancimin e zbatimit të Marrëveshjes për Menaxhimin e integruar të kufirit ndërshtetëror mes dy vendeve (IBM), ku është dakorduar dhe nënshkruar marrëveshja për ndërtesa të përhershme për gjashtë pikëkalime kufitare të të IBM-it (shtator 2014).

Është shënuar përparim i madh në çështjet e energjisë, ku më në fund plani i zbatimit për energji është dakorduar dhe nënshkruar nga tri palët, së bashku me marrëveshjen Inter-TSO dhe marrëveshjen operacionale. Ne e konsiderojmë këtë një përparim të madh, sepse pas pothuajse katër vjet të negociatave për çështjet e energjisë, më në fund janë arritur marrëveshja dhe plani i zbatimit (respektivisht vitin e kaluar dhe këtë shtator). Kështu kapitulli i bashkëpunimit në çështjet e energjisë në mes të dy shteteve ka filluar ndërsa operatorët ilegal serb do të largohen për të lejuar normalizimin e situatës së energjisë në pjesën veriore të Kosovës. Bashkëpunimi në fushën e energjisë mes të dyja shteteve do të kontribuojë edhe për stabilitetin energjetik në rajon, bazuar në Traktatin e Komunitetit të Energjisë, duke i dhënë fund shkeljes së këtij Traktati nga ana e Serbisë në raport me Kosovën.

 

Lidhur me çështjet e telekomit, është bërë një progres i mirë, megjithatë plani i veprimit mbetet ende për t’u finalizuar.

Është bërë progres i mirë në mbledhjen e të hyrave doganore në pikëkalimet kufitare veriore, si dhe në krijimin e Fondit për Zhvillim i cili tashmë ka mbi 3 milion euro. Kështu me këtë hap, ne kemi pasur sukses jo vetëm në vendosjen e sundimittë ligjit në këtë fushë, që mungonte për një kohë të gjatë, por gjithashtu edhe në ofrimin e investimeve zhvillimore shtesë në veri, për të cilat ne mbetemi të angazhuar.

Qeveria e Kosovës konsideron se Bashkimi Evropian ka luajtur një rol substancial në lehtësimin dhe përshpejtimin e këtij progresi. Ka arritur të tejkalojë çfarëdo barriere të çfarëdo natyre politike apo teknike, duke përfshirë mungesën e vullnetittë Serbisë për të bashkëpunuar, duke ndjekur një rol proaktiv në komunikimin e qartë të lidhjes midis detyrimeve të palëve nga dialogu i Brukselit dhe perspektivës së tyre evropiane. Përveç kësaj zyrtarët e BE-së kanë realizuar bisedime të drejtpërdrejta të shumta dypalëshe përmes vizitave në Beograd dhe/ose përmes komunikimit elektronik dhe videokonferencave /VTC. Po ashtu, kontributi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Ambasadës Amerikane në Kosovë dhe Qeverisë së SHBA-ve ka qenë substancial në arritjen e progresit në terren në të gjitha fushat, dhe veçanërisht në funksionimin ligjor të komunave veriore.

Ne, Qeveria e Kosovës dhe kryeministri Hashim Thaçi, kemi marrë pjesë në të gjitha nivelet e bisedimeve politike të mbajtura në Bruksel me lehtësimin e PL Ashton para zgjedhjeve nacionale (të mbajtura në qershor 2014), ndërsa pas shpalljes së rezultateve zyrtare të zgjedhjeve, ne vazhduam pjesëmarrjen vetëm në bisedimet teknike për procesin e zbatimit të marrëveshjeve. Ne po ashtu kemi ndjekur mënyra të ndryshme për t’ia komunikuar Brukselit nevojën për përshpejtimin e procesit të zbatimit, duke përfshirë disa vizita në Bruksel për të informuar dhe për të diskutuar mënyrat për të shpejtuar procesin e zbatimit.

Sa i përket kohës, më së shumti rezultate konkrete janë arritur gjatë muajit shtator dhe shpresojmë se kështu do të vazhdojë.

Duke folur në përgjithësi, që nga 19 prilli 2013, kur është arritur Marrëveshja e Brukselit, përparime në zbatim janë shënuar në nivele të ndryshme për çështje të ndryshme të trajtuara nga kjo Marrëveshje, si dhe në marrëveshjet e dialogut teknik. Ky progres mund të shihet në marrëdhëniet e përmirësuara në mes të dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë, normalizimin në rritje të situatës në pjesën veriore të Kosovës, përmes integrimit të qytetarëve serbë të asaj pjese në institucionet e Kosovës, shpërbërjen e strukturave ilegale serbe që veprojnë në Kosovë që nga viti 1999 dhe avancimin e integrimit evropian për të dyja shtetet.

I theksojmë me shqetësim tendencat për të shmangur ose vonuar zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit, pasi që ato ofrojnë hapësirë për zhvillime të ndryshme negative në komunat veriore dhe tregojnë se Serbia ende nuk ka ndalur synimet për ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit të Kosovës.

Në këtë periudhë, ne vëmë në dukje me shqetësim pengesat në vendosjen e sundimit të ligjit dhe të normalitetit në katër komunat veriore të Kosovës, të shkaktuara nga kryetarët ilegal të komunave, grupet paramilitare dhe kriminale, të cilat e kanë penguar progresin e komunitetit serb në Kosovë gjatë pesëmbëdhjetë viteve të fundit. Këto struktura poashtu vazhdojnë të rrezikojnë personelin e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare të zbatimit të ligjit, siç u dëshmua së fundmi me EULEX-in , e po ashtu edhe disa barrikada që vazhdojnë të pengojnë lirinë e lëvizjes.

Në këtë kontekst, nga mesi i qershorit, i përjetuam tensionet në Mitrovicë që buruan nga heqja e njëanshme e një barrikade nga Ura e Ibrit dhe vendosja e të rejave, që kërcënuan me përkeqësimin e situatës së sigurisë në pjesën veriore. Ne patëm sukses në frenimin e këtyre tensioneve duke vepruar me maturi dhe në koordinim me partnerët ndërkombëtarë, që rezultoi me marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja për të zgjidhur çështjen e barrikadave dhe për të siguruar se kjo urë përfundimisht do të bëhet një urë e lirisë së plotë të lëvizjes në përputhje me standardet e BE-së.

Qeveria e Republikës së Kosovës e çmon lartë përparimin e bërë në Dialogun e Brukselit, dhe ne mbesim plotësisht të përkushtuar që të shtyjmë përpara të gjitha aspektet e këtij dialogu. Megjithatë, shumë mbetet për tu bërë në lidhje me disa çështje të rëndësishme që mbeten ende në pritje të zgjidhjes, të cilat do të siguronin një bazë të qëndrueshme për arritjen e qëllimeve të përmendura më lart të dialogut të Brukselit.

Ky Raport periodik është vazhdim i raportit paraprak të lëshuar nga Qeveria e Kosovës më 16 janar 2014 dhe e trajton përparimin e bërë në fusha të ndryshme në periudhën raportuese. Për më shumë informacion në fushat ku nuk ka pasur përparime, lexuesi këshillohet t’i referohet raportit paraprak i cili mund të gjendet në faqen e Kryeministrisë.