Kosova falënderon Shqipërinë për solidaritetin e treguar më 1999

Drejtues të institucioneve shtetërore të Kosovës, ata të institucioneve fetare e përfaqësues politik në vend, u mblodhën sot në Katedralen Shën Nënë Tereza në Prishtinë për të falënderuar Shqipërinë për mikpritjen e ofruar gjatë luftës së fundit në Kosovë. Aty para përfaqësuesve të institucioneve të Shqipërisë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi tha se Shqipëria ka sfiduar gjenocidin e Serbisë që ushtronte kundër popullatës shqiptare në Kosovë dhe pa të Kosova nuk do të mund të ishte e lirë dhe e pavarur.

Lajme

18/01/2020 12:56

Nën organizimin e Kishës Katolike në Kosovë, në akademinë solemne “Faleminderit Shqipëri”, u përkujtua 20 vjetori i mikpritjes që Shqipëria kishte bërë për popullin e Kosovës gjatë eksodit në vitin 1999.

Duke falënderuar Shqipërinë, Thaçi tha se ajo hapi dyert dhe zemrat në ditët e tragjedisë më të rëndë të Kosovës, në kulmin e luftës 1998-1999.

Presidenti shtoi se pa Shqipërinë Kosova nuk do të ishte e lirë dhe e pavarur.

“Falënderojmë Shqipërinë që e sfidoi gjenocidin e shtetit të Serbisë që ushtronte kundër popullatës shqiptare në Kosovë në fushatën për spastrim etnik. Kjo është madhështia e Shqipërisë, ky është atdheu në përmasa të pakufishme shpirtërore dhe solidare. Kosova përjetë, i është mirënjohëse Shqipërisë. Pa Shqipërinë Kosova nuk do të ishte e lirë, nuk do të ishte e çliruar dhe natyrisht si rrjedhojë e kësaj nuk do të ishim të pavarur”, tha Thaçi.

Thaçi tha se Shqipëria ka mbështetur fuqishëm UÇK-në, si projektin më të shenjtë të shqiptarëve.

“Falënderojmë Shqipërinë të cilën e patën busull idealistët e shumtë nga Kosova si njeriu apo babai i Pavarësisë së Kosovës Adem Demaçi që idealistët tonë e kishin çlirimin dhe bashkimin e saj me Shqipërinë dhe gjitha viseve të tjera që ishin nën pushtimin e ish-Jugosllavisë. Shqipërinë, që gjithmonë na bëri të dimë që Jugosllavia dhe Serbia nuk janë shteti ynë, falënderojmë Shqipërinë që mbrojti, aq sa pati kapacitete, të drejtat e shqiptarëve në Kosovë dhe vise të tjera të banuara me shqiptarë, në Maqedoni, Preshevë e Mal të Zi”, tha ai.

Ndërsa presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta tha se Shqipëria e kishte për detyrë të përballonte atë krizë të jashtëzakonshme humanitare, që erdhi për shkak të gjenocidit të Millosheviqit.

“Ju me të drejtë thoni ‘faleminderit Shqipëri’, edhe pse Shqipëria e kishte për detyrë që të përballonte atë krizë të jashtëzakonshme humanitare që erdhi nga Kosova për shkak të gjenocidit të Millosheviqit. Shpesh edhe kur takohemi, edhe me zotin Majko dhe kolegë të tjerë të asaj kohe, e kemi vështirë ta besojmë si mund të përballohet një krizë e kryer përmasave të jashtëzakonshme kur unë UNCR që ishte lajmëruar për këtë krizë që prej një viti dhe jepte garanci që kishte marrë masa për të përballuar përshkallëzimin e saj, nuk ishte më shumë se disa mijëra dyshekë në Shqipëri. Dhe kriza u përballua falë përkushtimit dhe angazhimit të çdo qytetari të thjeshtë. Në mënyrë të veçantë unë do të theksoja solidaritetin heroik të popullit të Kukësit”, tha Meta.

Aty foli edhe Pandeli Majko që në atë kohë ishte kryeministër i Shqipërisë, sipas së cilit, ata veç kanë bërë detyrën e tyre siç bën vëllau për vëllaun.

“Tani, a të mërzitë ndonjëherë vëllau, po edhe të mërzitë, prandaj vëlla. Si thoni ju në Kosovë kur ta sjell shpirtin në majë të hundës vëllau, vëllau si shkau, por ne për këtë arsye duhet ta durojmë njëri-tjetrin, të kujtojmë ato ditë të vështira kur përkufizuam, përcaktuam se kush jemi, nga vijmë dhe ku do të shkojmë. Së bashku me Ilirin dhe me shumë kolegë të tjerë, midis të cilëve edhe ai që sot është kryeministër i Shqipërisë, Edi Rama, a ishim ne kaq të bindur, kaq të fortë, ju siguroj që ishim të frikësuar, u siguroj që ishim edhe të shqetësuar, u siguroj që na shkonte edhe mendja se do të na kujtohej emri brezë pas brezi për të keq, por nuk mund të lë pa thënë atë që përsëriti presidenti Meta, se në ato momente aq të vështira dhe përkufizuese të gjithë shqiptarët e Shqipërisë, të majtë e të djathtë, komunistë e ballistë, pas masakrës së Reçakut ne u mblodhëm i thirrem të gjith a partitë e opozitës dhe pak a shumë fjalia që u tha nga të gjithë ishte, kur serbët na vrasin, ne duhet të bashkohem”, tha Majko.

Ipeshkvi i Kosovës, Dodë Gjergji, në akademinë solemne që u organizua në qendrën “Pjetër Bogdani” në Katedralen e Prishtinës, tha se njerëzit në Shqipëri meritojnë një falënderim të madh në këtë formë të bashkuar.

“Një falënderim i tillë nuk është se ka munguar në ditët që kemi ecur, sepse jehona e këtij falënderimi ka qenë në kontaktet miqësore, kontaktet familjare, në shprehjen e organizimeve të ndryshme shoqërore, dorën në zemër, kjo ndjenjë falënderimi nuk ka munguar edhe në takime të ndryshme ndër qeveritare që kanë ndodhur dhe shumë nivele të tjera. Por kjo mënyrë që ne kemi dashur të themi faleminderit së bashku, solemnisht dhe njëherish, është më e mirë, pasi kumbon më shumë, jehon më gjatë dhe dëgjohet më larg”, tha Dodë Gjergji.

Ndërsa kreu u Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava tha se në kohën më të vështirë për Kosovën, populli gjeti solidaritetin dhe dashurinë në Shqipëri.

“Në këto momente të vështira për vendin dhe popullin tonë që po përballej me një dhunë të orkestruar shtetërore serbe qytetarët tanë hasën në mirëpritjen e pjesës tjetër kombit, përveç që gjetën mikpritjen bujare, gjetën solidaritetin e dashurinë aq të nevojshme për ne që di ta jap vetëm vëllau për vëlla”, tha Tërnava.

Kujtojmë se gjatë eksodit të popullit të Kosovës në vitin 1999 Shqipëria kishte hapur kufijtë duke u angazhuar populli dhe institucionet për të ndihmuar refugjatët nga Kosova që ishin dëbuar dhunshëm nga serbët.