Kosova është e vendosur kundër ekstremizmit dhe radikalizmit islamikë

Zëvendëskryeministri i Parë, njëherësh edhe ministër i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se në Kosovë nuk do të ketë vend për funksionimin e fundamentalistëve apo terroristëve islamikë. Ai po ashtu ka thënë se Serbia do ta njoh Kosovën në të ardhmen e afërt, dhe ka konfirmuar edhe synimin e tij për të kandiduar për president të vendit vitin e ardhshëm.

Lajme

13/04/2015 14:45

Thaçi, në një intervistë për Agjencinë e lajmeve të Sllovenisë – STA, ka thënë se Kosova deri tash me vendosmëri po e trajton fundamentalizmin dhe islamizmin ekstrem. Ai ka thënë se autoritetet e Kosovës vitin e kaluar arrestuan më shumë se 100 njerëz të cilët ishin kthyer nga Iraku dhe Siria, dhe siç ka thënë ai, “kjo luftë e pamëshirshme dhe pa kompromis do të vazhdojë”.

“Unë e vlerësoj shumë vlerësimin e Sekretarit të Shtetit amerikan, John Kerry, i cili e ka cilësuar Kosovën si një kampion në luftën kundër ekstremizmit. Kosova është pjesë e koalicionit global kundër terrorizmit. Ne gjithashtu kemi miratuar një ligj që parandalon pjesëmarrjen në luftërat jashtë vendit. Nuk do të ketë vend në Kosovë për funksionimin e fundamentalistëve apo terroristëve islamikë. Kosova do të lufton në këtë betejë edhe në të ardhmen”, ka thënë kryediplomati i Kosovës.

Thaçi njoftoi se Kosova do të ngrejë një gjykatë të veçantë për krimet e luftës me një vendim të parlamentit në fund të prillit apo në fillim të majit. “Kosova nuk ka asgjë për të fshehur. Ne kemi ofruar mbështetjen e plotë dhe bashkëpunimin e ngushtë”.

Zëvendëskryeministri ka thënë se e sheh vendin e tij në pesë vjetët e ardhshme si një anëtare e NATO-s dhe një vend që e ka përfunduar procedurën e liberalizimit të vizave dhe që ka nënshkruar një marrëveshje stabilizim asocimi (MSA) me BE, si dhe anëtare e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) . Ai gjithashtu beson se Kosova do të njihet nga Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) dhe Bashkimi i Shoqatave Evropiane të Futbollit (UEFA).

Brenda vendit , ai njoftoi për reformat që po bëhen për të zvogëluar papunësinë dhe për të shtuar rritjen ekonomike dhe normalizimin e marrëdhënieve me të gjithë fqinjët e Kosovës. “Ne jemi duke bërë përpjekje që të përfshihemi sa më shumë që të jetë e mundur në organizatat rajonale dhe evropiane, për të fuqizuar subjektivitetin tonë në bashkësinë ndërkombëtare sa më shumë që të jetë e mundur”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se kjo do të thoshte një shtim i numrit të njohjeve ndërkombëtare, përfshirë këtu edhe njohjen nga Serbia .