Kosova ende pa targa të unifikuara të automjeteve
Edhe dhjetë vite pas shpalljes së pavarësisë, Kosova nuk ka unifikuar targat e automjeteve. Në vend, përveç targave “RKS”, legalisht përdoren edhe ato “KS”, të cilat përdoreshin para shpalljes së pavarësisë. Në Ministrinë e Punëve të Brendshme thonë se janë mijëra vetura me targa “KS” dhe se në rast se nuk merret një vendim ndryshe, targat “KS” mund të përdoren edhe për katër vite.
![](https://lajmi.net/wp-content/uploads/2019/01/319666-hju6UUPb5F.jpg)
Lajme
Mentor Veseli, nga Ferizaj, nga viti 2011, për katër vite, veturën e tij e drejtoi me traga “RKS”, targa që simbolizojnë “Republikën e Kosovës”. Por, telashet që i shkaktoheshin në kufirin me Serbinë, bën që ai përsëri në veturën e tij të vendosë targa “KS”, të cilat paraqesin statusin neutral të Kosovës e që janë të pranueshme nga Serbia.
“Më herët i kam pasur RKS, por që tre vjet i kam heq. I kam vendos KS. Më bie të udhëtoj prej Kosovës nëpër Serbi, për të shkuar në shtete të tjera të kryej punë, po duhet me i heq targat. Po është e mundimshme kjo far pune, hiq e vendos targat provë. Edhe i kam vendosur targat KS”, tha ai.
Targat “RKS” që nga nxjerrja e tyre në vitin 2010, nuk pranohen nga Serbia, edhe pse dy shtetet janë pajtuar në Bruksel për lejimin e lëvizjes së lirë të automjetet me targa të dy shteteve. Kosovarët që shkojnë në Serbi, apo këtë shtet e shfrytëzojnë si tranzit, janë të detyruar të mbulojnë targat “RKS” ose të pajisen me targa “prova”. E kjo, ka bërë që shumë kosovarë të heqin targat e Republikës dhe të pajisen përsëri me targa “KS”. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Roksana Qarri, tregon për Radio Kosovën se sa është numri i veturave që kanë targa “KS” dhe se kur ato mund të largohen nga përdorimi.
“Numri i automjeteve të regjistruara me targa “KS” është 27 mijë e 386. Gjatë këtij viti numri i automjeteve të regjistruar me targa “KS” është 4 mijë e 179. Këtyre targave vitin e kaluar u është vazhduar afati i përdorimit edhe për pesë vite dhe deri në një vendim tjetër nuk do të ketë ndryshim”, tha Qarri.
Përderisa zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Brendshme tregoi se targat “KS” mund të përdoren edhe për katër vite, nëse nuk merret një vendim tjetër, Mentor Veseli e kosovarë të tjerë kërkojnë që edhe Kosova të veprojë me shtetasit serbë, ashtu si vepron Serbia me kosovarët. Ideja e vendosjes së reciprocitetit për targa me Serbinë, është përfolur disa herë pasi Kosova vendosi taksën 100% për produktet e serbe, por megjithëkëtë, reciprociteti akoma nuk është vendosur. /rtk