“Kosova ende e rrezikuar nga sulmet në veri”- Njohësit thonë se më këto sulme më tepër të merren Policia e Inteligjenca se FSK-ja

Sulmi i 29 nëntorit cak i të cilit ishte kanali i Ibër-Lepencit në Varragë të Zubin Potokut qe i fundit në vazhdën e sulmeve që prekën në një raport kohor prej disa ditësh veriun e Kosovës. Thirrjet për qetësi e arsyetimet se siguria në vend është në nivelin më të mirë ndonjëherë qenë të pashmangshme,…

Lajme

10/12/2024 19:58

Sulmi i 29 nëntorit cak i të cilit ishte kanali i Ibër-Lepencit në Varragë të Zubin Potokut qe i fundit në vazhdën e sulmeve që prekën në një raport kohor prej disa ditësh veriun e Kosovës.

Thirrjet për qetësi e arsyetimet se siguria në vend është në nivelin më të mirë ndonjëherë qenë të pashmangshme, mirëpo edhe gjendja e panikut tek qytetarët në raste të tilla nuk kishte mundësinë të mos ishte prezente.

Nga këndvështrimi i njohësve të sigurisë në Kosovë, gjendja nuk duket stabile.

Madje kështu pohon vet njohësi i kësaj fushe, Agon Maliqi.

Maliqi për lajmi.net thotë se siguria në vend nuk qëndron në nivelin e duhur, duke veçuar se vendi ende vazhdon të mbetet i brishtë ndaj sulmeve.

“Kosova mbetet e brishtë ndaj sulmeve për sa kohë që gjendja në veri mbetet kjo që është dhe ku popullsia serbe mbetet krejt jashtë institucioneve të Kosovës, ndërkohë që qeveria jonë mundohet ta zgjidh problemin vetëm me mjete policore dhe jo edhe politike”, deklaron ai.

Sipas tij, mjaftojnë grupe të vogla radikale që të shkaktojnë destabilizim situate.

“Brezi kufitar me Serbinë është vështirë i kontrollueshëm dhe mjaftojnë grupe të vogla radikale, të nxitura nga jashtë, përfshi edhe nga palë të treta si Rusia, për ta destabilizuar situatën. Brishtësia e situatës dhe mundësia e sulmeve është më e madhe gjatë gjithë dimrit për shkak të përshkallëzimit të tensioneve mes perëndimit dhe Rusisë, e të cilat reflektohen edhe në Ballkan. Por edhe për shkak të faktit se jemi në periudhë tranzicionesh të pushtetit në SHBA dhe qeverish të paqëndrueshme në Francë dhe Gjermani”, u shpreh Maliqi.

Sipas tij, se sa do të ketë sulme të reja kjo varet nga koordinimi i Kosovës me aleatët dhe nga presioni perëndimor ndaj Serbisë.

Ai shtoi se që të tilla sulme e akte të mos përsëriten duhet të ketë koordinim me institucionet ndërkombëtare të sigurisë si dhe koordinimi i ngushtë politik me shtetet kyçe aleate

“Në afat të shkurtër rol kyç duhet të ketë koordinimi dhe bashkërendimi me institucionet ndërkombëtare të sigurisë si dhe koordinimi i ngushtë politik me shtetet kyçe aleate. Është gjithashtu jashtëzakonisht e domosdoshme që së paku në polici dhe në gjykata të shohim kthim të pjesëmarrjes së serbëve, si dhe pjesëmarrje të tyre në zgjedhje, në mënyrë që popullsia lokale të fillojë të rikthejë besimin në institucione dhe të mos i shohë ato si armiqësore. Në afat të gjatë problemi ka vetëm zgjidhje politike dhe do të mund të zgjidhet vetëm nëse përmbyllet me sukses dialogu me Serbinë dhe popullsia e veriut është e përfaqësuar në institucione”, tha ai.

Në pyetjen se a do të duhej prezenca e FSK-së në veri momentalisht, ai për lajmi.net tha se kjo është çështje kohe, mirëpo që në raste të tilla sipas tij nuk janë sfida me të cilat merret ushtria por policia dhe inteligjenca.

“Prezenca e FSK-së në veri është çështje kohe dhe do t’i vijë dita. Por në rrethanat e sotme ajo nuk e zgjidh problemin konkret si dhe përballet me çështjen e kufizimeve ndërkombëtare që ndërlidhen me përmbylljen e dialogut me Serbinë. Në çdo vend roli i ushtrisë është ai i kontrollit të pikave kufitare dhe në këtë drejtim këtë funksion tashmë e kryen KFOR-i – çfarëdo ndërhyrje e Serbisë në kufi do të nënkuptonte luftë të Serbisë me NATO-n. Ndërkohë sfidat e sigurisë me të cilat po përballemi brenda territorit të veriut me grupe sabotuese dhe ekstremiste nuk janë sfida me të cilat merret ushtria por policia dhe inteligjenca, kështu që ato do të duhej të ishin të mjaftueshme”, përfundoi Maliqi.

Gjendja në vend është e ekspozuar pranë një situate mjaft të rëndë sigurie tha njohësi tjetër i çështjes, Bedri Elezi.

“Kjo për shkak të Serbisë që po mbështetet nga Rusia për destabilizim të situatës jo vetëm në vend po në të gjithë gadishullin Ballkanik“, u shpreh ai.

Elezi renditi sulmet e atyre ditëve duke thënë se e gjithë kjo kishte për qëllim dëmtimin e qytetarëve të Kosovës.

“Me 26 nëntor kishim sulmin me bombë në stacionin e Policisë në Zveçan, me datën 28 prapë sulm dhe në fund sulmin terrorist në infrastrukturën kiritike në kanalin e Zubin Potokut që kishte për qëllim dëmtimin me ujë të pijes rreth 50% të qytetarëve të vendit, si dhe dëmtimin me energji elektrike duke pas parasysh që pikërisht nga ky kanal vie uji që përdoret për ftohje të turbinave të termoelektranave të energjisë elektrike”, shpjegoi ai.

Sipas Elezit, Kosova ende vazhdon të mbetet e kërcënuar nga sulmet e tilla serbe.

“Kosova realisht akoma vazhdon të mbetet e kërcënuar edhe pse Policia e Kosovës me vendim të Prokurorisë Speciale ka bastisur disa lokacione dhe deri më tani ka arrestuar 12 qytetarë serbë dhe janë gjetur mjete ushtarake e armë sidomos në katër komunat me shumicë serbe, armë  të cilat janë përdorur edhe në sulme të tjera”, shtoi Elezi për lajmi.net.

“Kjo tregon qartë se komuniteti serb në atë pjesë është i armatosur dhe ka plane të qarta ogurzi për të cenuar Republikën e Kosovës dhe jetën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”, tha ai tutje.

E pas krejt kësaj ai thotë se është Rusia dhe se një situatë e tillë i shkon në favor të Rusisë për të treguar se akoma ka satelitë të saj siç është Serbia.

”Institucionet shtetërore duhet të marrin me kujdes të shtuar në konsideratë këto sulme nga Serbia dhe të bashkëpunojnë me NATO-n dhe aleatët ndërkombëtarë”, përfundoi Elezi deklarimin e tij.

Një arsenal i konsiderueshëm armatimi, emblema, stema, shkrime, shumë parash e gjësende të tjera të cilat dyshohet qartazi se u takojnë grupeve kriminale serbe mund të jenë të njëjtat që shkaktuan sulmin e 29 nëntorit u gjetën në bastisjet e Policisë në veri ku edhe u arrestuan shumë shpejt pas sulmit tetë persona të dyshuar siç konfirmoi vet ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

“I papranueshëm e sulm terrorist” i njëjti u cilësua edhe nga përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë.

Megjithatë, reagimet e pareshtura dhe arrestimi i serbëve në veri të vendit nuk qenë bindje e fortë për presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, për ta pranuar se Serbia mund të ketë lidhje me sulmin e në kanalin e ujit në Zubin Potok.

Ai madje edhe u “sqarua” në opinionin publik rreth rastit, duke mohuar krejtësisht lidhshmërinë e mundshme me sulmin.

E në anën tjetër, shefi i ekzekutivit kosovar, Albin Kurti, pas sulmeve të njëpasnjëshme ka deklaruar se shpërthimi në Zubin Potok është sulm terrorist, që autoritetet e Kosovës besojnë se “vjen nga bandat e dirigjuara e të orkestruara nga Serbia, e cila ka interesim dhe aftësi për të shkaktuar sulme e dëmtime të tilla”.

Ai u shpreh se është synuar të nxitet frika dhe pasiguria në tre komunat në veri, për ta përshkallëzuar situatën në mbarë vendin.

“Përpjekjet e këtilla do të ngelen të dëshpëruara. Kushtetutshmëria, sundimi ligjit, rendi dhe populli, republika jonë, nuk do të mund të mposhten asnjëherë nga askush”./Lajmi.net