Kosova ende “e rrezikshme” për ushtarët amerikanë

Kosova vazhdon të mbetet vend në të cilin SHBA paguan “hazard” për ushtarakët e vet. Lista është rishikuar këtë javë dhe 15 vende janë hequr nga “lista e rrezikut”.

Bota

05/01/2014 12:07

Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka larguar 15 shtete nga lista e atyre që konsiderohen për pagesë të menjëhershme të rrezikut në punë për shërbimin ushtarak.

Vendimi është bërë publik të premten dhe me këtë do të kursehen 108 milion dollarë në vit, raporton revista ushtarake amerikane Stars & Stripes. Vendimi do të hyjë në fuqi që nga 1 qershori i këtij viti.

Timori Lindor, Haiti, Liberia, Omani, Ruanda, Emiratet e Bashkuara Arabe, Kirgistani dhe Uzbekistani janë larguar nga kjo listë. Janë decertifikuar edhe gjashtë shtete tjera bashkë me hapësirat e tyre ajrore. Në këtë grup bëjnë pjesë Bahreini, Kuvajti, Katari, Arabia Saudite, Serbia dhe Mali i Zi.

Pentagoni, ndërtesa e Departamentit Amerikan të Mbrojtjes

 

Departamenti i Mbrojtjes ka ricertifikuar 26 shtete për pagesë të rrezikut gjatë shërbimit të ushtarakëve amerikanë. Krahas Kosovës, në këtë listë hyjnë edhe Algjeria, Azerbajxhani, Burundi, Çadi, Kolumbia, Bregu i Fildishtë, Kuba, Republika Demokratike e Kongos, Xhibuti, Egjipti, Eritrea, Etiopia, Indonezia, Irani, Izraeli, Jordania, Kenia, Libani, Malajzia, Pakistani, Filipinet, Siria, Turqia, Uganda dhe Jemeni. Në listë janë qyteti i Athinës (Greqi), Deti Mesdhe dhe Gjiri i Somalisë.

Një zëdhënës i Departamentit të Mbrojtjes ka thënë se ushtria ka shpenzuar 500 milionë dollarë për pagesë të rrezikut gjatë vitit 2012.

Sipas statistikave të KFOR’it, SHBA kontribuon me 665 paqeruajtës në Kosovë në kuadër të Misionit të NATO’s.