Kosova e vitit 1990 dhe Kosova e sotme

Pa pasë fare gjasa për ta bërë realitet atë që vendosëm në vitin 1990, arritëm, kryekëput me një politikë largpamëse, të çlirohemi dhe të pavarësohemi.

Opinion

10/09/2015 09:56

Sivjet po bëhet një çerek shekulli nga vendimet kapitale të politikës shqiptare të Kosovës, e cila, atje në vitin 1990, në radhët e veta, nuk njihte asnjë politikan të mirëfilltë.

Gjithçka që do të ndodhë në Kosovë, me fatin e saj, me të ardhmen e saj, u përcaktua në atë vit, nga një autoritet politik që atëherë njihej si Alternativa Kosovare, e udhëhequr nga Dr.Ibrahim Rugova. Natyrisht, ishte kjo Lëvizja Politike e cila si asnjë tjetër para saj, do ta kishte përkrahjen e thuaja të gjithë shqiptarëve të Kosovës. Diçka e tillë, zatën, nuk do të përsëritet më kurrë.

U vendos, pra, në vitin 1990, që Kosova të kërkojë statusin e Republikës apo edhe të shtetit të pavarur. Që kjo kërkesë do të legjitimohet nga Kuvendi ekzistues i Kosovës, që ishte njësi federale në shtetin e atëhershëm – RSFJ. Që mëvetësimi i Kosovës duhet të mbërrihet në kontekstin e ri rajonal dhe ndërkombëtarë, duke përfillë tërësisht orientimin demokratik të shoqërisë kosovare. Që Kosova do të kërkojë partneritet me Perëndimin, në radhë të parë me SHBA-në, në sendërtimin e synimeve të saj. Që në ato rrethana, është e domosdoshme të shmanget fillimi i luftës me Serbinë, e cila këmbëngulte në provokimin e konfliktit të armatosur për t’i qëruar hesapet njëherë e përgjithmonë me shqiptarët.

Në këtë mënyrë pra, diku dhjetëra shkrimtarë, gazetarë, sociologë, intelektualë në përgjithësi, të cilët kishin pak dijeni se çka është shteti në demokraci, çka është shteti në të vërtetë,  çka është pluralizmi partiak, si do të duket Evropa dhe Ballkani pas-komunist, doli në fund që ditën fare mirë t’i vënë themelet politike, diplomatike, ligjore, organizative të një Lëvizjeje e cila një herë si paqësore, e pastaj edhe si ushtarake, do ta bëjë Kosovën të lirë, për nëntë vjet, dhe të pavarur, për tetëmbëdhjetë vjet.

Nga perspektiva e sotme, kur dimë shumë më tepër, apo, kur kemi përvetësuar me të madhe terminologjinë dhe diturinë perëndimore politike  (kjo nuk do të thotë aspak që jemi duke e jetësuar apo sendërtuar atë), mund të themi që pa pasë shtet, ditëm të marrim vendime sovrane, pa pasë fare politikanë kishim shumë burrshtetas, pa pasë skenë të njëmendtë demokratike politike, arritëm tek një konsensus nacional, pa pasë buxhet dhe financa, ditëm të sigurojmë mjetet e duhura për rrugëtimin e kësaj Lëvizjeje, pa pasë diplomaci dhe ambasadora, siguruam një mbështetje diplomatike për Kosovën, e cila më në fund mori edhe trajtën e intervenimit ushtarak të Paktit NATO.

Tek e mbrama, mund të thuhet që pa pasë fare gjasa për ta bërë realitet atë që vendosëm në vitin 1990, arritëm, kryekëput me një politikë largpamëse, të çlirohemi dhe të pavarësohemi. Apo, të bëjmë atë që askush nuk e kishte bërë para nesh.

Pra, e gjitha kjo, ka ndodhë në Kosovë dhe me Kosovën. Në masë të madhe, për herë të parë dhe të fundit, ndër ne.

Kur këto ditë shënuam 25 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, folëm dhe shpjeguam këtë ngjarje, në masë të madhe, me mendtë e sotit, e jo me ato që shpien tek njëra prej ngjarjet më madhore të Lëvizjes për pavarësi. Me një gjuhë të mërzitshme, që nuk ka gjë të përbashkët me politikën, apo që i ri fare pranë një tifozllëku sportiv, me një mbledhje të veçantë e cila nuk dallon shumë prej atyre tubimeve përkujtimore, me rrëfime të stërkallëzuara deri tash, në të cilat nuk veçohet dot se çfarë në të vërtetë u bë dhe çka ndodhi atë 7 shtatorin e vitit 1990 në Kaçanik.

Mbase, do të ishte befasi e madhe po të ishte ndryshe.

Ne sot, kur jemi shtet i pavarur, kur kemi politikë dhe rend kushtetues, gjyqësi dhe polici, kur kemi skenë politike me një numër të madh të partive, kur kemi legjitimitet dhe legalitet pra, kur të thuash,  i kemi të gjitha, nuk kemi atë që vetëm ne e kishim në vitin 1990, në rrethana kur objektivisht gjë tjetër nuk posedonim.

E dinim atëherë çka duhet bërë që të shpëtojmë nga kobi i trashëguar për një shekull të tërë. Dhe kjo dije pastaj, mori të gjitha trajtat e duhura politike dhe ushtarake, për ta vendosë për fatin e Kosovës.

Shyqyr që atëherë kemi pasë këtë dije. Ndryshe, kurrë nuk do ta çlironim Kosovën dhe kurrë nuk do të bëheshim shtet.

(Autori është opinionist i rregullt në lajmi.net)