Kosova e përkushtuar në përmirësimin e të drejtave të komuniteteve

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim një delegacion nga Unioni i Romëve të Ballkanit - BAROM me përfaqësues të romëve nga Turqia, Maqedonia dhe nga Kosova, i cili udhëhiqej nga kryetari i këtij Unioni, Nexhdet Mustafa, njëherësh ministër pa portofol në Qeverinë e Maqedonisë.

Lajme

23/10/2015 13:13

Presidentja Jahjaga me delegacionin nga BAROM-i bisedoi për të drejtat, liritë dhe kushtet në të cilat jetojnë dhe veprojnë qytetarët romë të Kosovës. Me këtë rast, Jahjaga theksoi se Kushtetuta e Republikës së Kosovës iu garanton të gjithë qytetarëve, të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë, të drejta dhe liri të barabarta. Ajo tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara ta mbrojnë identitetin etnik, kulturor dhe fetar të të gjitha komuniteteve.

Sipas një komunikatë të Presidencës, Jahjaga e përgëzoi Mustafa për nismën dhe i dëshiroi suksese në realizimin e misionit të Unionit të Romëve të Ballkanit. Ajo shprehu përkushtimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për përmirësimin e vazhdueshëm dhe avancimin e të drejtave dhe lirive të të gjitha komuniteteve që jetojnë në Kosovë.

Kryetari i Unionit të Romëve të Ballkanit, Nexhdet Mustafa, tha se mision i tyre është përmirësimi i kushteve të jetës dhe të punës, si dhe integrimi i romëve në shoqëritë dhe në institucionet në të gjitha vendet e Ballkanit./Kp