Kosova e pashpresë për heqjen e vizave: Situata s’pritet të ndryshojë as pas zgjedhjeve në Francë

Skepticizmi për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës po vazhdon edhe pas zgjedhjeve në Francë dhe fitores për mandatin e dytë të presidentit, Emanuel Macron. Zgjedhjet e serishme parlamentare në Francë në muajin qershor dhe hezitimi i vendeve të tjera skeptike të BE-së pritet të pamundësojë largimin e regjimit të vizave nën presidencën franceze të Këshillit të Evropës.

Lajme

30/04/2022 11:46

Megjithëse në partinë në pushtet e shohin si pozitive fitoren e Macronit, njohësit e proceseve integruese të BE-së janë në mëdyshje për lëvizjet pozitive të tij sa i përket liberalizimit të vizave.

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila thotë për KosovaPress se Kosova nuk mund të jetë përjashtim i projektit të Macron për avancimin e projektit të BE-së.

Megjithatë, ajo nuk pranon të flas për afatet kohore për liberalizimin e vizave, por thotë se shanset më të mëdha dhe reale për liberalizim të vizave janë me Macronin president se sa kundërkandidaten e tij.

“Kemi një triumf të demokracisë në vendet e Bashkimit Evropian. Fitorja e presidentit Macron mban shpresën e Evropës së bashkuar dhe politikës e cila synon avancimin e projektit të Bashkimit Evropian. Në kuadër të kësaj, Kosova nuk mundet të jetë përjashtim, përderisa rezervoj të drejtën të mos flas me afate kohore në raport me procesin e liberalizimit të vizave. Tash është fakt i njohur se gjitha standardet dhe kushtet ndaj Kosovës janë plotësuar në raport me liberalizimin. Kjo është një padrejtësi që po ndodh, ndërsa shanset natyrisht janë shumë më të mëdha dhe reale me presidentin Markon në krye të Francës se sa të kishim dikë tjetër në këtë shtet të madh evropian”, thotë ajo.

Pavarësisht fitores së presidentit Macron, drejtori i institutit EPIK, Demush Shasha thotë për KosovaPress se nuk pret ndonjë përparim thelbësor për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Pas përfundimit të zgjedhjeve presidenciale në Francë nuk pres ndonjë përparim thelbësor për liberalizimin e vizave për Kosovën. Pse? Sepse pas pak javësh në qershor janë zgjedhjet e parlamentare në Francë dhe deri në përfundimin e zgjedhjeve nuk pres të ketë çfarëdo vendimmarrje pozitive sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën që mund të hynte në fushatën zgjedhore në Francë. Prandaj nuk shoh ndonjë arsye për të qenë optimist për liberalizim të vizave pas përfundimit të zgjedhjeve në Francë. Rrjedhimisht nuk jam optimist se gjatë presidencës franceze, e cila përfundon me 1 korrik të këtij viti do të ketë progres për këtë çështje”, thotë ai.

Shasha thotë se edhe me vendet e tjera skeptike për liberalizim të vizave nuk ka pasur përparim nga ana e palës kosovare.

Ndërkohë, theksoi se kërkesat e vazhdueshme të Parlamentit Evropian për liberalizim të vizave po hasin në vesh të shurdhër.

“Sa i përket vendeve skeptike nuk shoh ndonjë përparim të marrëdhënieve tona me vendet mosnjohëse brenda BE-së, nuk ka pasur ndonjë lëvizje për të konfirmuar dhe interpretuar se ka një avancim në marrëdhëniet tona. Ndërsa sa i përket Parlamentit Evropian ka kërkesa të vazhdueshme të tyre për liberalizim të vizave sikur më herët. Të njëjtat edhe sot janë duke hasur në vesh të shurdhër”, shton ai.

Kosova ka vite që ka plotësuar gjitha kriteret për liberalizim të vizave, mirëpo tash e sa vite, Këshilli i Ministrave të BE-së po heziton të jep dritën e gjelbër për një proces të tillë. Krahas Francës, skeptike për liberalizim të vizave ka qenë edhe shteti i Holandës.