Kosova e krizave!

Në dy vitet e fundit, Kosova është duke kaluar nëpër krizën e dytë, dhe më të madhe politike, në vitet e pasluftës. Më 2014, vendi u përball me ngërçin gjashtëmujor për formimin e Qeverisë, ndërsa nga shtatori i vitit 2015, spektri politik është thelluar në një krizë pa krye. Sipas analistëve, kjo po ndodhë për shkak të dështimeve dhe veprimeve abuzive të politikanëve

Lajme

24/01/2016 08:01

Në dy vitet e fundit Kosova është ballafaquar me dy kriza të gjata politike e institucionale, e madje po hyn në vitin e tretë me krizën e trashëguar.

E para filloi në qershorin e vitit 2014 kur subjekte opozitare formuan bllokun VLAN me qëllim që të lënë në opozitë PDK-në që kishte dalë partia më e votuar në zgjedhje, krizë kjo e cila zgjati plot gjashtë muaj.

Ndërsa, kriza e dytë politike në këto dy vite ka filluar në muajin gusht të vitit 2015 pas nënshkrimit të Marrëveshjes për themelimin  e Asociacionit të komunave me shumicë Serbe dhe të asaj për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Sipas përfaqësuesve të shoqërisë civile, krizat politike në Kosovë janë pasojë e akumulimit të dështimeve dhe e veprimeve abuzive të politikanëve.

Ata madje thonë se nëse kriza shikohet si mundësi apo si rast për të zhvilluar vendin dhe për të reformuar shoqërinë, atëherë këto kriza politike janë normale për shoqëritë demokratike, sepse mungesë krizash, sipas tyre, ka vetëm në diktatura apo regjime despotike.

Ligjëruesi në Univeristetin e Prizrenit “Ukshin Hoti”, Arben Fetoshi ka thënë se krizat politike në vend janë pasojë e akumulimit të dështimeve, paaftësisë dhe veprimeve abuzive të politikanëve pa dallim partie.

“E kam thënë edhe në media të tjera, edhe pozita edhe opozita e kanë humbur legjitimitetin demokratik. Kështu, zgjidhja që kemi përpara është marrëveshja për të shkuar në zgjedhje. Por, kjo duhet të bëhet sipas modelit të Maqedonisë, sepse zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk do të ishin zgjidhje, përkundrazi, vetëm sa do ta komplikonin situatën duke ricikluar të njëjtit politikanë”, ka vlerësuar Fetoshi./Zëri