Kosova do të jetë organizuese e turneut “FIBA U16 European Challengers”

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) do të jetë organizatore e FIBA U16 European Challengers që do të organizohet në Prishtinë prej 16 deri më 21 Gusht 2021. Një vendim të tillë e ka marrë së fundi Bordi i FIBA Evropës.  

Sport

08/06/2021 22:25

Në FIBA U16 European Challengers, Grupi E në Prishtinë do të marrin pjesë gjashtë (6) shtete: Kosova, Luksemburgu, Shqipëria, Gjibraltari, Moldavia dhe Malta.

Gara do të organizohet në formë të “Fluskës”, gjithnjë duke e respektuar Protokollin e FIBA-s për Covid-19 dhe masat në fuqi të Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Në fakt FIBA ia kishte besuar FBK-së organizimin e FIBA U16 Kampionatit Evropian, Divizioni C në Prishtinë, i cili ishte paraparë të organizohet në vitin 2020, por që për shkak të përhapjes së pandemisë, FIBA i pati anuluar të gjitha FIBA Kampionatet Evropiane prej U16 deri në U20, në të gjitha Divizionet dhe në të dyja konkurrencat.

Për Federatën e Basketbollit të Kosovës kjo është hera e tretë që FIBA ia beson organizimin e një eventi, por në dy vitet e mëparshme me format tjetër, pra të Kampionatit. Në vitin 2018, Kosova ka qenë organizatore e FIBA U18 Kampionatit Evropian, Divizioni C në Prishtinë, kurse më 2019 ishte organizatore e FIBA U20 Kampionatit Evropian, Divizioni B – Femrat në Prishtinë.

Këtë vit FIBA ka vendosur që të vazhdojë me organizimin e garave për U16, U18, U20 në të dyja konkurrencat, por në një format tjetër për shkak të Covid-19. Kësaj radhe FIBA Kampionatet Evropiane nuk janë ndarë në Divizione, por në Grupe, dhe këto grupe do të organizohen në disa shtete.

Në 2018 dhe 2019, FIBA ka qenë jashtëzakonisht e kënaqur me organizimin e FIBA Kampionateve Evropiane nga Federata e Basketbollit të Kosovës dhe për këtë arsye edhe kësaj radhe, pavarësisht pranisë së pandemisë, ka vendosur të bashkëpunoj me FBK-në në mënyrë që së bashku të organizojnë një event në nivelin më të lartë të mundshëm.