Kosova dhe Shqipëria me marrëveshje për bashkëpunim në fushën e rinisë

Kosova dhe Shqipëria, nga sot pritet t’i harmonizojnë politikat në fushën e rinisë. E kjo, u arrit falë nënshkrimit të marrëveshjes për bashkëpunim në fushën e rinisë, me të cilën Kosova dhe Shqipëria do të ndërmarrin politika dhe programe të përbashkëta në mbështetje të frymës së bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe miqësisë ndërmjet të rinjve të dyja vendeve.

Lajme

14/07/2015 14:20

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Shala dhe Ministri i Mirëqenies Sociale, si dhe ai i Rinisë i Republikës së Shqipërisë, Blendin Klosi.

Ministri Kujtim Shala e vlerësoi Marrëveshjen si vazhdimësi të bashkëpunimit të frytshëm, që tashmë MKRS-jaka me Ministrinë e Kulturës së Shqipërisë. Ai po ashtu u shpreh se me marrëveshjen e sotshme edhe formalisht konkretizohen veprimet e përbashkëta për politikat e rinisë.

Edhe ministri Klosi e vlerësoi këtë Marrëveshje si një hap tejet të rëndësishëm që ndihmon në përgatitjen e rinisë për një Shqipëri dhe Kosovë Evropiane.

Pas nënshkrimit në Protokollin e Bashkëpunimit në fushën e kulturës, kjo marrëveshje u vlerësua si një mundësi më shumë që Kosova dhe Shqipëria të përafrojnë politikat dhe programet, me aktivitete dhe veprime të përbashkëta në fusha të ndryshme, dhe në funksion të përgatitjes së dy vendeve për integrim në Bashkimin Evropian.

Marrëveshja e nënshkruar sot ndërmjet ministrave Shala dhe Klosi parasheh hapa konkret, nëpërmjet të cilave nxitet bashkëpunimi dhe shkëmbimi i përvojave në fushën e rinisë.