Kosova dhe Shqipëria kontribuues të çmuar në luftën kundër terrorizmit

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli sot ka takuar Adriatik Llallën, kryeprokurorin e Republikës së Shqipërisë. Siç njoftojnë nga Kuvendi i Kosovës, në takim u bisedua për çështjet dhe sfidat me të cilat është duke u përballur drejtësia në Kosovë dhe Shqipëri, ndërsa u tha se ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit si sfida globale, Kosova dhe Shqipëria po japin kontribut të çmuar.

Lajme

10/03/2016 20:47

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli u njoh me punën, angazhimet dhe përkushtimin e Kryeprokurorit për sundimin e ligjit në Shqipëri, reformën e drejtësisë, si dhe bashkëpunimin reciprok që të dy vendet kanë ndërtuar në këtë fushë.

“ Z. Llalla vlerësoi se numri i krimeve është në rënie në Shqipëri, ka suksese, andaj vuri në dukje Z. Llalla, bashkëpunimi në fushën zbatimit të ligjit pritet të thellohet më tej në dobi të dyja vendeve. Ai më tej ka theksuar se në procesin integrues, nëpër të cilin po kalojmë, prioritet është reforma në drejtësi, sundimi i ligjit dhe forcimi i shtetit të së drejtës. Nga ana e tij kryetari Veseli potencoi nevojën që të dy vendet të ndërtojnë një komunikim të rregullt përmes të cilit do të ndihmohen reciprokisht sistemet e drejtësisë në Kosovë e Shqipëri, në rradhë të parë përmes këmbimit të përvojave të suksesshme në trajtimin e problemeve të tranzicionit që kanë të bëjnë me drejtësinë”, thuhet në komunikatë.

“Në takim u tha se krimi i organizuar dhe terrorizmi mbeten sfidat kryesore globale të drejtësisë, në të cilat dy vendet, Kosova dhe Shqipëria janë duke dhënë një kontribut shumë të çmuar, të vlerësuar tashmë edhe nga partnerët ndërkombëtarë.”/lajmi.net