Kosova dhe Serbia nën presion të madh nga BE në takimin e Berlinit

Për shkak të dialogut, Kosova dhe Serbia priten të përballen me presion të madh nga Bashkimi Evropian në takimin e Berlinit.

Lajme

23/04/2019 11:07

Më 29 prill, në Berlin do të mbahet Takimi i Liderëve të Ballkanit Perëndimor, ku nikoqir do të jenë kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe presidenti francez, Emmanuel Macron.

Se Kosova dhe Serbia do të përballet me presion të Bashkimit Evropian në këtë takim, e ka konfirmuar edhe vet presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se ky presion do të vijë pasi që BE-ja ka një plan ambicioz për Kosovën, por që Serbia nuk do ta vazhdojë dialogun pa heqjen e taksës, transmeton lajmi.net.

Në takimin e Berlinit, Kosova do të përfaqësohet nga presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kurse Serbia do të përfaqësohet nga presidenti Aleksandar Vuçiq e kryeministrja Ana Bërnabiq.

Siç shkruan “Novosti.rs”, Serbia e Kosova do të përballen me presion pasi që zyrtarët evropianë kanë vendosur një qëllim, që deri në tetor formimi i një Komisioni Evropian do të vë një pikë në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës.

Megjithëse kishte spekulime se Gjermania dhe Franca, udhëheqësit e të cilëve janë mikpritës të këtij takimi, në këtë mënyrë dëshirojnë të marrin rolin kryesor të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Federica Mogherini, por zëdhënësja e saj, Maja Kocijançiq, ka thënë për “Novosti.rs”, se Mogherini në këtë takim do të marrë pjesë me ftesë të kancelares Merkel dhe presidentit francez, Macron.

Kocijançiq, po ashtu ka zbuluar edhe qëllimin e këtij takimi.

“Përfaqësuesja e Lartë, Federica Mogherini do të marrë pjesë në takimin e Berlinit të organizuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron me përfaqësuesit më të lartë nga Ballkani Perëndimor me qëllim të rritjes së stabilitetit dhe prosperitetit në të gjithë kontinentin”, ka deklaruar Kocijançiq, transmeton më tutje lajmi.net.

Ndryshe, dialogu me Serbinë është bllokuar nga ky shtet pasi që Kosova në nëntor të vitit të kaluar vendosi taksë prej 100 për qind për mallrat me origjinë serbe. /Lajmi.net/