Kosova dhe Mali i Zi, marrëveshje bashkëpunimi për fatin e të zhdukurve

Komisioni Qeveritar për Persona të Pagjetur i Kosovës dhe ai i Malit të Zi, kanë nënshkruar marrëveshje që të shkëmbejnë informacione lidhur me procesin e zbardhjes së fatit te të zhdukurve.

Lajme

22/10/2015 13:55

Kryetarët e të dy komisioneve nënshkruan, sot në Prishtinë, një marrëveshje bashkëpunimi, për të cilën thanë se është një hap i rëndësishëm drejtë bashkëpunimit rajonal.

Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të zhdukur në Kosovë, Prenk Gjetaj tha se janë të gatshëm për një marrëveshje të tillë edhe me Serbinë.

Të dy përfaqësuesit e shteteve, shprehën interesim për të punuar drejtë hartimit të listës rajonale për të zhdukurit në territorin e ish-Jugosllavisë, si pasojë e konflikteve të armatosura.

Prenk Gjetaj tha se ky bashkëpunim do të ndihmojë që të ketë çasje më të madhe institucionale në këtë proces.

“Ky bashkëpunim do të ndihmojë që të ketë çasje institucionale, së pari shkëmbimin e informacioneve, evidentimin e personave të zhdukur, informacionet për vend-ndodhjen e mundshme të varrezave individuale apo masive, dhe gjetjet, gjegjësisht gërmimin, vlerësimin, zhvarrimin e tyre, dhe bashkëpunimin me familjet, sepse të drejtën për të kërkuar dhe për të ditur me fatin e më të dashurve të tyre e kanë të garantuar e dhe me konventat ndërkombëtare”, tha ai.

Gjetaj, e theksoi interesimin e tij të madh që marrëveshje të tilla të nënshkruajnë me të gjitha vendet e rajonit që kanë qenë të përfshira në luftë. Madje edhe me Serbinë.

“Hartimi i një liste rajonale. Jemi të interesuar që të ketë një bashkëpunim me një marrëveshje me respektim ndër-institucional, ndërshtetëror, andaj ne jemi të gatshëm me të gjitha vendet, madje edhe me Serbinë të krijojmë marrëveshje të bashkëpunimit me respektim të ndërsjellë ndër-institucional ndërshtetëror. Kjo është gatishmëria e jona dhe do të vazhdojmë të jemi të gatshëm për një bashkëpunim, sikur po bashkëpunojmë tani me Malin e Zi”, tha ai.

Foto nga nenshkrimi i marreveshjes

E një zotim se do të ketë përkushtim për ndriçimin e fatit të personave të zhdukur edhe në të ardhmen, e dha edhe kryetari i Komisionit për Persona të Pagjetur, i Malit të Zi Dragan Gjukanoviq.

“Mund të them në emër të komisionit të qeverisë së malit të zi që në këtë mënyrë të vazhdohet edhe në të ardhmen dhe të gjitha do t’ia kushtojmë qëllimit përfundimtar dhe human, por edhe një çështjeje shumë të ndjeshme politike, zbardhjes së fatit të personave të zhdukur në hapësirat e tërë Jugosllavisë ku ka pas konflikte të armatosura. Ne si komisione jemi duke përkrahur nxjerrjen e listës së përbashkët në nivel rajonal”, tha ai.

Pas takimit, të dy delegacionet vendosën lule tek përmendorja pranë ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, kushtuar personave të zhdukur.

 

Në Kosovë, aktualisht janë mbi 1600 persona, të vrarë e të zhdukur pastaj nga forcat serbe, gjatë luftës së fundit të Kosovë, fati i të cilëve ende nuk dihet. Ndërsa në gjithë ish-Jugosllavisë mendohet të jenë mbi 10 mijë persona që vazhdojnë të jenë të zhdukur.