Kosova dhe Italia rrisin bashkëpunimin në nivelin komunal

Bashkëpunimi në nivelin komunal në mes të Kosovës dhe Italisë, po shihet si një bashkëpunim i një rëndësie të madhe.

Lajme

18/02/2019 09:00

Së fundmi në ambientet e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal është nënshkruar marrëveshja Bashkëpunimi Komunal Ndërkombëtar mes komunave të Kosovës, Lipjan dhe Fushë Kosovë me komunat, Civita dhe Frascineto të Kalabrisë në Itali.

Rozafa Ukimeraj, sekretare e përgjithshme e MAPL-së, tha se bashkëpunimi mes komunave Frascineto dhe Civita të Italisë me Fushë Kosovën dhe Lipjanin, është shumë me rendësi.

Sipas saj këto marrëveshje kanë për qëllim shkëmbimin e përvojave në disa fusha të rëndësishme si: Bashkëpunimi në fushën e zhvillimit ekonomik lokal, në fushën e artit, kulturës, në arsim dhe shkëmbimin e përvojave të institucioneve shkollore dhe shoqatave kulturo- artistike.

“Iniciuesi i këtyre marrëveshjeve mes komunash ishte Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal. Ky bashkëpunim do të ketë mundësi shkëmbimi me ato komuna të Italisë’, tha ajo sot në Radio Televizionin e Kosovës.

Ajo bëri me dije se do të ketë edhe marrëveshje të tjera të komunave të Kosovës me komuna dhe shtete të tjera.