Kosova dhe Bullgaria do të nënshkruajnë marrëveshje bashkëpunimi në bujqësi

Kosova dhe Bullgaria do të nënshkruajnë shumë shpejt marrëveshje bashkëpunimi në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, përmes së cilës do të thellohet bashkëpunimi mes dy vendeve në shkëmbimin e përvojave në politikat bujqësore. Për këtë janë dakorduar sot Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi dhe Ministrja e Bujqësisë dhe Ushqimit e Bullgarisë, Desislava Taneva.

Lajme

08/02/2016 15:09

Ministri Krasniqi duke falënderuar ministren Taneva për pritjen dhe gatishmërinë për bashkëpunim, theksoi se të dy vendet, Kosova dhe Bullgaria kanë shumë nën sektorë të bujqësisë, ku mund të bashkëpunojnë, por më me rëndësi përmendi ai, është që të krijohen ura lidhëse mes agrobizneseve nga të dyja vendet. Në dy vitet e fundit eksporti i produkteve bujqësore kosovare për në Bullgari është rritur, por ministri shtoi se ky eksport duhet të vazhdojë të rritet dhe të ketë shkëmbime tregtare për shumë produkte që janë unike për secilin vend.

“Ne kemi një potencial të madh, dhe tashmë jemi fokusuar në sektorin e pemëve, perimeve, qumështit dhe mishit. Janë hapur tashmë shumë fabrika përpunimi për shumë fusha. Kemi po ashtu një potencial të madh në verëtari  dhe këto besoj mund të ishin një interes i mirë për tregtarët bullgarë”, theksoi ministri Krasniqi, teksa ka vlerësuar se përvoja bullgare në shumë procese që lidhen me bujqësinë do të jenë mjaft ndihmuese për Kosovën.

“Konsolidimi i shërbimeve këshillimore dhe procesi i akreditimit të Agjencisë sonë të Pagesave janë një prioritet i yni dhe që do ta ndihmonin jashtëzakonisht bujqësinë në Kosovë. Dhe padyshim përvojat tuaja në këtë drejtim me reformat që keni ndjekur do të shërbenin si një shembull i mirë edhe për Kosovën”, theksoi ministri Krasniqi. Ministri e ka njoftuar në detaje ministren Taneva për gjendjen e bujqësisë në Kosovë dhe impaktin që ajo ka në ekonominë dhe punësimin në vend.

Nga ana e saj, ministrja Taneva shprehi gatishmërinë për të fuqizuar bashkëpunimin dhe për të parë mundësitë e rritjes së volumit tregtar mes dy vendeve. Ajo foli për zhvillimet që Bullgaria ka pasur në bujqësi dhe shprehi gatishmërinë që këto përvoja t’i ofrohen Kosovës, veçanërisht në procesin e integrimit evropian.  Ministri Krasniqi dhe ministrja Tanevau pajtuan që të kenë komunikim të vazhdueshëm në të ardhmen, për të konkretizuar marrëveshjen e bashkëpunimit si dhe për vizitën e ministres bullgare në Prishtinë, në të ardhmen. /lajmi.net