Kosova dhe BE-ja mbajtën takimin e 3-të të nën-komitetit të MSA-së

17:08 | 16 Maj 2019

Përfaqësuesit e Kosovës dhe Komisionit Evropian u takuan në Bruksel për të diskutuar zhvillimet në fushat e bujqësisë, zhvillimit rural, peshkimit dhe sigurisë së ushqimit.

Diskutimi u zhvillua në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi në prill të vitit 2016.

Diskutimi ka mbuluar një gamë të gjerë temash, krahas zhvillimeve në politika, legjislativ dhe zbatim në fushën e bujqësisë dhe zhvillimit rural, gjithashtu edhe për avancimin e kontrolleve gjatë importit të ushqimit dhe kafshëve, duke forcuar sigurinë ushqimore brenda Kosovës, sistematizimin e futjes së të dhënave në bazën e të dhënave për identifikimin, regjistrimin dhe lëvizjen e kafshëve, shfrytëzimin e tokës dhe konsolidimin e tokës, statistikat e importit dhe eksportit në bujqësi dhe performancën e institucioneve përgjegjëse për bujqësinë dhe sigurinë e ushqimit.

Standardet e BE-së duhet të zbatohen në të gjitha nivelet: në kontrollin e importeve dhe eksporteve, në regjistrimin e kafshëve, në atë se çfarë praktikash lejohen në kultivimin e ushqimit, në mënyrën se përpunohet ushqimi dhe pastaj si etiketohet dhe shitet.

Një sërë organesh kontrolli janë të përfshirë në garantimin e këtyre standardeve: zyrtarë shëndetësorë, inspektorë, veterinerë, laboratore. Këto janë ngritur pjesërisht në Kosovë dhe janë në proces të zbatimit të standardeve të BE-së.