Kosova dërgon mjekë dhe infermierë në Turqi për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti

Kosova do të dërgojë katër mjekë dhe katër infermierë për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Turqi. Kështu ka bërë të ditur ministri i Zhvillimit Rajonal, njëherësh edhe përfaqësues politik i komunitetit turk në Kosovë, Fikrim Damka. Ai ka theksuar se është e rëndësishme që aktualisht të dërgohen njerëz të fushës të cilët mund…

Lajme

08/02/2023 18:24

Kosova do të dërgojë katër mjekë dhe katër infermierë për të ndihmuar të prekurit nga tërmeti në Turqi.

Kështu ka bërë të ditur ministri i Zhvillimit Rajonal, njëherësh edhe përfaqësues politik i komunitetit turk në Kosovë, Fikrim Damka.

Ai ka theksuar se është e rëndësishme që aktualisht të dërgohen njerëz të fushës të cilët mund të ndihmojnë.

“Me ministrin e Shëndetësisë sot e kemi pas një bisedë. Besoj se sot ose nesër mëngjes vullnetarisht do të shkojnë edhe mjekët tanë, edhe infermierët tanë për të qenë para njerëzve të cilët janë plagosur. Shifra e të plagosurve momentalisht në këtë tërmet është afër 52 mijë…sipas informacionit që kam, do të jenë katër mjekë dhe katër infermierë. Kemi kapacitete shumë më shumë, kërkesë vullnetarisht edhe prej infermierëve dhe prej mjekëve, por Turqia e ka vendosur që prej secilit shtet të marrë nga një numër të caktuar”, ka deklaruar Damka në Tëvë1.

Ai bëri të ditur se para dy ditësh është hapur edhe një xhirollogari përmes së cilës do të mblidhen fonde për ta mbështetur Turqinë, jo vetëm nga Qeveria e Kosovës, por në të cilën do të mund të kontribuojnë edhe qytetarët.

Damka bëri të ditur se sonte objekti i Qeverisë do të ndriçohet në shenjë respekti për viktimat nga tërmeti.

Turqia dhe Siria u goditën nga tërmete të fuqishme para dy ditësh, ku në bazë të përditësimeve të fundit, deri tani numri i viktimave ka shkuar në mbi 11 mijë.