Kosova bëhet “horë” në Amerikë

Chris Dial e ka njoftuar Amerikën për basketbollin kosovar.

Sport

14/04/2016 15:05

Trajneri amerikan qe një kohë punon me të rinjtë kosovarë, me qëllim që t’i zhvillojë ata dhe t’i bëjë gati për ekipin e parë të Kosovës.

Mirëpo, duket se trajneri i Përfaqësueses U-16 të Kosovës nuk është i kënaqur me gjendjen e infrastrukturës sportive në vend. Ai ka folur për kushtet në të cilat punon, të cilat në bazë të deklaratave nuk janë prej më të mirave, siç kishte pritur.

“Ata nuk i ngrohin palestrat. Është mjaft e pazakontë t’i shohësh fëmijët ta ngrenë topin lart dhe mund ta shohësh hukamën që iu del nga goja në ajrin e ftohtë”, ka deklaruar Dial për “San Antonio Express-News”, raporton Zëri.

Prindërit, mjaft entuziastë

Chris Dial e ka përshëndetur dhe ka vlerësuar entuziazmin e prindërve të fëmijëve, të cilët i përcjellin në çdo stërvitje dhe ndeshje.

“Sa herë që kemi ushtrime apo luajmë, ata vijnë dhe na zgjasin duart. Ata janë aq mirënjohës që ne punojmë me djemtë e tyre. Ata e vlerësojnë këtë”, vazhdoi Dial, i cili në të kaluarën kishte punuar në McCollum, John Paul II e New Braunfels.

Image

Evropiani U-16, i suksesshëm për Kosovën

Chris Dial, nga ana e tij, është i fokusuar tek ekipi U-16 i Kosovës. Në planet e tij është t’i gjejë lojtarët më të mirë të rinj dhe të qëndrojë me ta derisa të kalojnë në ekipin U-18, dhe më pas në ekipin e parë të Përfaqësueses së Kosovës.

Ai e udhëhoqi Kosovën U-16, Divizioni C, i mbajtur në San Marino. Ekipi i Dial e mposhti Gjibraltarin, 84-27, Monacon 96-56, Uellsin 74-34 dhe Maltën 65-45. Ndërkaq ekipi mikpritës, San Marino, e mposhti në finale Kosovën, 76-59.

Sidoqoftë, amerikani e konsideron këtë si një eksperiencë mjaft të mirë. “Ishte vërtet e suksesshme”, ka përfunduar Dial, një punëtor i palodhshëm dhe bashkëpunues mjaft i mirë me kolegët, përcjell Zëri.

Suksesin e amerikanit me lojtarët e rinj e kishin përshëndetur të gjithë në Kosovë, ndërsa ekipin U-16 e konsideronin si ekip heronjsh. Dial, 37 vjeç, ka eksperiencë të madhe të punës me të rinj.

Dhe, përvojën që e ka fituar duke punuar në ekipe të ndryshme amerikane, po mundohet ta kultivojë në basketbollin kosovar.

Nga ana e saj, Federata e Basketbollit të Kosovës është mjaft e kënaqur me punën që po e bën Chris, i cili kohë pas kohe mban grumbullime dhe kampe të ndryshme me fëmijë të të gjitha grupmoshave. Gjithsesi, puna e tij mund të vlerësohet pas disa vitesh, kur edhe pritet të sjellë fryt. 

Image