Kosova aplikon në dhjetor për anëtarësim në Bashkimin Evropian

Kosova pritet që në dhjetor të këtij viti të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Gazetari gjerman, Michael Martens, ka realizuar një intervistë me kryeministrin Albin Kurti, për gazetën “Frankfuter Allgemeine Zeitung”, pas arritjes së marrëveshjes për çështjen e targave në mes Kosovës dhe Serbisë. Martens publikoi edhe disa pjesë të shkurtra të intervistës…

Lajme

29/11/2022 08:13

Kosova pritet që në dhjetor të këtij viti të aplikojë zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Gazetari gjerman, Michael Martens, ka realizuar një intervistë me kryeministrin Albin Kurti, për gazetën “Frankfuter Allgemeine Zeitung”, pas arritjes së marrëveshjes për çështjen e targave në mes Kosovës dhe Serbisë.

Martens publikoi edhe disa pjesë të shkurtra të intervistës në Twitter, derisa thekson se Kosova në dhjetor zyrtarisht do të aplikojë për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Ndryshe dje është zhvilluar një takim i parë i Komisionit Ekzekutiv për Anëtarësimin e Kosovës në BE, e ku është miratuar qëndrimi zyrtar për aplikim në Bashkimin Evropian.

Ky takim është zhvilluar nën kryesimin e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

Gjatë këtij takimi u diskutua për situatën gjeopolitike dhe zhvillimet tjera relevante.

“Komisioni konfirmoi përkushtimin dhe orientimin e vendit për integrim evropian dhe miratoi qëndrimin zyrtar të Republikës së Kosovës për aplikim në Bashkimin Evropian para fundit të këtij viti. Në takim u tha se Kosova ka për qëllim strategjik anëtarësimin në Bashkimin Evropian, dhe se këtë e ka dëshmuar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit tash e gjashtë vjet, Agjendës për Reforma Evropiane, bashkëpunimin rajonal dhe pjesëmarrjen në programe të BE-së dhe formateve të ndryshme brenda saj”, thuhej në njoftim.

Anëtarët e komisionit gjithashtu diskutuan hapat e radhës të institucioneve vartëse deri te dorëzimi i aplikimit.

Ky komision ishte themeluar në mbledhjen e 94-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe funksionon si mekanizëm ndër-institucional, përgjegjës për përgatitjen e aplikimit për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Në fund të muajit tetor, për vizitë në vendin tonë qëndroi edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Gjatë këtij takimi, Kurti tha se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në BE pas para përfundimit të këtij viti.

Qytetarët e Kosovës në anën tjetër vazhdojnë të jenë të vetmit në Evropë që nuk kanë të drejtën e lëvizjes së lirë./Lajmi.net/